Wednesday, April 27, 2011

Vetëm i marri nuk mendon për pavdekësinë

Shkruan: Pastor Femi Cakolli
“Unë jam Ringjallja dhe Jeta” (2)
A keni menduar pse poeti shkruan poezi? Pse piktori bën imazhe? Po skulptori statuja? Po shkrimtari romane? Po fotografi portrete? Po filozofi që e tjerr fjalën? Po politikanët e zënë në kurthat e froneve? Këngëtarët e mundur në meloditë? Aktorët e lodhur në vetëshumëfishimin? Sportistët që loja i fiton? Mësuesit në përsëritjen e A-së? Mjekët që shpikin ilaçe e shërojnë por që ata sërish i gjen kalbja. Edhe humoristët me mahitë e tyre kapin pak hije pavdekësie andaj edhe i duam që të na tallin! A keni menduar për projektet e mëdha në botën arkitektonike (piramidat, Taxh Mahalli, përmendoret e larta, tempujt, katedralet, kishat, xhamitë, shtëpitë etj.)? A keni parë dhiare, rrugica, rrugë, sheshe, bulevarde?
Duket pra se të gjithë jemi në kërkim të eliksirit! E kush i ra në fund dashurisë, njohurisë, dhembjes, qeshjes, seksit, parasë, verës, famës, mistereve, natyrës, yjeve etj. Madje edhe ata që e kërkojnë vdekjen këtë e bëjnë me shpresën se do të kalojnë o do të kursehen në pavdekësinë. Prandaj të gjithë njerëzit dikush tjetër i ka futur ithtë shtegut të gjetjes së eliksirit!
Ringjallu nën besën e tij - Të gjithë këta nuk duan që të harrohen, që të humbin, që të shpërndahen! Nuk duan që të vdesin! Përpjekjet e tyre i konvertojnë në veprime të përjetshme. Tek populli ynë sidomos në të kaluarën ka ndodhur që plaku para se të vdiste është siguruar që ndonjë pinjoll ta ketë emrin e tij sikurse edhe ndonjë gjësend të tij.
Pra vetëm i marri nuk mendon për pavdekësinë. Të gjithë ne sillemi, jetojmë me frymën dhe idealet e lirisë dhe të pavdekësisë. Besimtarët e feve monoteiste në fund të fundit besojnë se edhe pas vdekjes ka jetë (1Kor.15:12-13), dhe se të gjithë njerëzit do të ringjallen një ditë (1Kor.15:21-22; Zb.20:12-13).
Falënderoj Perëndinë për të gjithë poetët, shkrimtarët, piktorët, skulptorët, arkitektët, politikanët, këngëtarët, filozofët, aktorët, sportistët, mësuesit, mjekët, humoristët me një fjalë tërë njerëzit adamikë e vdekatarë e t’u them një lajm në këtë vigjilje të festës së Pashkës.
Eliksiri është shfaqur! Eliksiri është bar, por emrin e ka vdekje, dhe kjo vdekje është vdekja e Krishtit. Shkrimi i shenjtë Bibla thotë se “ashtu siç erdhi vdekja me anë të një njeriu, po kështu erdhi edhe ringjallja e të vdekurve me anë të një njeriu. Sepse ashtu sikur vdesin të gjithë në Adamin, kështu të gjithë do të ringjallen në Krishtin” (1Kor.15:21-22). Ti mund të ringjallesh sot në Krishtin nëse hynë në besën e tij!
Krishti vdiq për ne që kushdo që beson në të nuk do të vdesë, por do të ketë jetën e përjetshme, pasi ai tha: “Unë jam Ringjallja dhe Jeta; ai që beson në mua, edhe sikur të duhej të vdesë do të jetojë. Dhe ai që jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë përjetë. A e beson këtë?” (Gjn.11:25-26).

No comments:

Post a Comment