Monday, April 18, 2011

10 vjetori i MO-së i gjen shqiptarët pa gjuhë e pa flamur 18/04/2011 18:41:57


 18/04/2011 18:41:57
 
Iliria News Agency-INANë prag të dhjetë vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, partitë politike shqiptare, ekspertët dhe analistët politikë kanë qasje tejet kritike lidhur me diskriminimin në fushat dhe shtyllat kryesore të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni.
Pas dhjetë vjetëve, shqiptarët akoma nuk gëzojnë të drejtën e përdorimit të garantuar dhe të avancuar të simboleve kombëtare dhe të gjuhës së tyre amtare.
Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë, si një nga organet më të larta shtetërore, ka kontestuar edhe atë ligj diskriminues për simbolet kombëtare, i cili parashikonte përdorimin e simbolit kombëtar aty ku shqiptarët janë mbi 50 për qind.
Ndërsa, përdorimi i gjuhëve në bazë të një ligji të miratuar për "gjuhët", ku nuk potencohet gjuha shqipe, por si "gjuha e popullsisë që ka mbi 20 për qind", akoma nuk ka gjetur përdorimin praktik në nivele institucionale.
Partia shqiptare në pushtet, BDI këto dy çështje i sheh të rregulluara dhe që nuk paraqesin problem për ta apo për shqiptarët. Ndërsa, nga ana tjetër, partitë opozitare shqiptare insistojnë që të miratohen ligje të reja që plotësojnë të drejtat themelore të shqiptarëve, as më shumë sesa serbët që gëzojnë të drejtat e tyre të përdorimit të simboleve kombëtare apo gjuhës së tyre në territorin e Kosovës, edhe atë si një popull rreth 8 për qind nga popullsia e përgjithshme shqiptare.
Lideri i Rilindjes Demokratike Kombëtare, Rufi Osmani deklaroi se në Maqedoni duhet edhe një herë të shqyrtohet marrëveshja në mes shqiptarëve dhe maqedonasve, e cila ishte rregulluar nëpërmes Marrëveshjes së Ohrit.
“Jemi dëshmitarë se Marrëveshja e Ohrit nuk ka arritur objektivat e asaj për çka propagandohej si nga faktori i brendshëm ashtu dhe nga ai i jashtëm. Mendojmë se kjo marrëveshje nuk i definon në kuptim të plotë raportet shqiptaro-maqedonase, andaj ne ofrojmë dhe tri shtyllat e programit tonë, të cilat kryesisht kanë të bëjnë me arritjen e shtet-formësisë shqiptare në Maqedoni.” – theksoi kryetari Osmani
Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) është e mendimit se kjo marrëveshje nuk është funksionale.
Kreu i PDSH-së Menduh Thaçi ka deklaruar se të gjitha paramentrat flasin se nuk realizohet Marrëveshja e Ohrit.
“Por, është një parametër i cili të gjithëve na tmerron se Qeveria e Maqedonisë tashmë ka filluar përveç politikës nacionaliste, të bëjë edhe reklamimin e madh me spote të politikës nacionaliste”, është shprehur Thaçi.
Ndërkaq, publicisti i njohur Kosova Veton Surroi, gjatë një debati në Shkup deklaroi se, ka ardhur koha që shqiptarët dhe maqedonasit të bëjnë një Marrëveshje të re, ndërsa Maqedonia të bëhet shtet i dyetnik.
“Sot kur festohet 10 vjetori i Marrëveshjes së Ohrit, nuk kemi një klasë politike e cila do të bëjë një llogari të thjeshtë se ku është mbërritur me zbatimin e Marrëveshjes, sa duhet të bëhet më tutje dhe çka ende duhet që ky shtet të bëjë kapërcimin kualitativ. Maqedonia nuk do të ec përpara në integrimin e vet në BE nëse përparësia themeltare e këtij shteti është ndërtimi i shtatoreve të antikuitetit. Nuk është e përputhshme vizioni përpara me vizionin e prapakthimit, me projektimin e ardhmërisë në prapakthim. Kjo është e pamundshme edhe si konstrukt mendor”, tha Veton Surroi, analist politik.
Eksperti i çështjeve juridike, prof. dr. Osman Kadriu ka theksuar se për zyrtarizimin e gjuhës paraqiten dy pengesa dhe ato janë politike e juridike. "Ligjin që e solli Parlamenti nuk është gjithëpërfshirës për zbatimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në nivel të shtetit konform Marrëveshjes së Ohrit dhe Kushtetutës. Edhe në ato organe ku duhet të gjejë zbatim, nuk ka asgjë dhe nuk ka zbatim të tërësishëm. Qeveria është përgjegjëse për krijimin e kushteve.
Ligji në fjalë patjetër duhet të plotësohet dhe në mënyrë shprehimore të sigurohet zbatimi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare. Për këtë çështje ka kërkesë dhe vërejtje prej strukturave relevante të Evropës dhe BE-së", ka deklaruar Kadriu pwr agjencinë e lajmeve INA. Ai ka shfaqur kritika edhe rreth ligjit të përdorimit të simboleve kombëtare.
"Ngel detyrë dhe përgjegjësi për subjektet politike shqiptare të angazhohen me një seriozitet të duhur, kompetencë dhe përgjegjësi që çështja e simboleve dhe flamurit së shpejti të rregullohen dhe garantohen me ligj, në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutën e vendit", ka theksuar eksperti dr. Osman Kadriu.
Sot, dhjetë vjet pas:
Nuk është zgjidhur problemi i përdorimit të gjuhës shqipe;
Nuk është zgjidhur problemi i përdorimit të simboleve kombëtare;
Nuk është realizuar decentralizimi;
Është bërë ndarje e dëmshme territoriale për shqiptarët;
Nuk është arritur shkalla e përfaqësimit të shqiptarëve;
Janë anashkaluar zonat shqiptare për investime;
Nuk është zgjidhur statusi i familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës së UÇK-së;
Është shkaktuar kaos në arsimin shqip;
Ka ndodhur diskriminim total i shqiptarëve rreth ndarjes së banesave sociale;
Shqiptarët përjashtohen nga puna;

Nuk ka pasur përfaqësim të shqiptarëve në shumë institucione dhe në hierarkinë e lartë vendimmarrëse shtetërore, dhe tani së fundi:
Shqiptarëve në dokumentat personale(në pasaporta) u shkruhet shtetësia maqedonas, e jo shtetas i Republikës së Maqedonisë.

No comments:

Post a Comment