Thursday, April 14, 2011

Dilema e CIA-s: Nëse përmbysim komunizmin në Shqipëri 15/04/2011 08:15:00


Stërvitja  


Organizatat anëtare të Komitetit Këshillues të Inteligjencës morën pjesë së bashku me Agjencinë Qendrore të Inteligjencës (CIA) në përgatitjen e kësaj përllogaritje. Ato janë si më poshtë: organizatat e inteligjencës së Departamenteve të Shtetit, ushtria, marina, forcat ajrore dhe këshilltarët ushtarakë të presidentit. Të gjithë anëtarët e Komitetit Këshillues të Inteligjencës ranë dakord me hartimin e kësaj përllogaritjeje më 13 Dhjetor 1952.


Njoftim mbi përhapjen e dokumentit

Kjo kopje e këtij botimi është për informacion dhe përdorim të marrësve të përcaktuar në faqen e parë dhe të personave nën juridiksionin e këtyre marrësve, të cilët e kërkojnë këtë informacion për përmbushjen e detyrës së tyre zyrtare. Përhapja e dokumentit në departamente të zyrave të tjera të cilat e kërkojnë informacionin për përmbushjen e detyrave të tyre zyrtare bëhet me autorizimin e të poshtëshënuarve: asistenti i veçantë i sekretarit të Shtetit për Inteligjencën, për Departamentin e Shtetit, ndihmëskryetari për këshillime ushtarake pranë presidentit, G-2, për Departamentin e Ushtrisë, drejtori i Inteligjencës së Marinës, për Departamentin e Marinës, drejtori i Inteligjencës në Forcat Ajrore Amerikane, për Departamentin e Forcave Ajrore. Zëvendësdrejtori për Inteligjencën, këshilltarët ushtarakë të presidentit, për këshilltarët ushtarakë. Drejtori i Inteligjencës në Komisionin e Energjisë Atomike, për Komisionin e Energjisë Atomike, asistenti i drejtorit për Zyrën Federale të Investigimit, asistenti i drejtorit për Mbledhjen dhe Shpërndarjen, CIA, për çdo departament ose agjenci tjetër.
Kjo kopje mund të ruhet ose të asgjësohet (me djegie) në përputhje me rregullat e pranishme për siguri, ose mund t’i kthehet Agjencisë Qendrore të Inteligjencës në marrëveshje me Zyrën e Mbledhjes dhe Shpërndarjes, CIA.

Raporti

Në Shqipëri ka një pakënaqësi të përhapur gjerësisht ndaj regjimit aktual. Edhe brenda qeverisë shqiptare dhe Partisë Komuniste Shqiptare, duket të jetë zhvilluar një humbje e besimit në perspektivat afatgjata të regjimit dhe një ndjenjë gjithmonë në rritje e pasigurisë personale. Ka një rritje të rezistencës gjatë vitit të fundit, pjesërisht si rezultat i aktivitetit në rritje të elementëve që kanë emigruar politikisht, disa prej tyre të mbështetur prej qeverive perëndimore. Ka pasur gjerësisht në qarkullim fjalë dhe plane për një përmbysje të regjimit të Hoxhës. Shumica e shërbimeve sekrete evropiane, përfshirë dhe ato të BRSS-së dhe Shqipërisë, janë në dijeni të lidhjeve mes emigrantëve politikë dhe qeverive perëndimore dhe ka të ngjarë që besojnë se një lloj plani, po përgatitet për përmbysjen e regjimit të Hoxhës. Udhëheqësit aktualë të BRSS-së dhe të Shqipërisë kanë treguar ndjeshmëri dhe shqetësim në lidhje me këtë situatë dhe kanë akuzuar publikisht Perëndimin, veçanërisht Shtetet e Bashkuara, për “organizim provokimesh” kundër Shqipërisë. BRSS-ja, sigurisht, dëshiron ta mbajë Shqipërinë brenda Bllokut Sovjetik, edhe pse ajo është një përgjegjësi ekonomike dhe bazë e izoluar. Humbja e Shqipërisë do të ishte dëmtim i prestigjit Sovjetik dhe do të pakësonte mundësitë Sovjetike për të ushtruar presion ndaj Jugosllavisë dhe Greqisë. Megjithatë, BRSS-ja nuk ka bërë ndonjë pakt ndihme reciproke me Shqipërinë, siç ka bërë me satelitët e tjerë të saj në Evropë (me përjashtim të Gjermanisë Lindore). Shqipëria ka bërë një pakt të tillë vetëm me Bullgarinë.

Interesat e fqinjëve

Interesat e Italisë, Greqisë dhe Jugosllavisë në konfliktin në Shqipëri, secili prej këtyre vendeve, ndoshta parapëlqen vazhdim të gjendjes së status quo-së për një ndryshim që mund të jetë i pëlqyeshëm për ndonjë nga të tjerët ose i dëmshëm për interesat e saj. Nga të tre këto vende, Jugosllavia duket më me shpresa për të arritur më në fund disa ndryshime në regjimin shqiptar të pëlqyeshme për të. Siç përllogaritëm në NIE-42/1 (20 Tetor 1952), ka përparësi për Jugosllavinë me politikat e saj aktuale të praktikimit të presionit politik kundër regjimit shqiptar, pa ndërhyrë drejtpërdrejtë dhe pa nxitur një përpjekje për grusht shteti. Duke vazhduar në rrugën që kanë nisur jugosllavët mund të nxisin mbizotërimin e grupit të mbështetjes jugosllave brenda lëvizjes së emigrantëve politikë shqiptarë. Ata mund të shkatërrojnë rendin dhe qëndrueshmërinë në Shqipëri pa ndonjë rrezik serioz për ndërlikime ndërkombëtare, duke zhvilluar ndërkohë, kontakte me elementët e pandikuar brenda regjimit shqiptar. Nëse arrijnë sukses në këto përpjekje, ata do ta kenë vendosur veten në një pozicion të pëlqyeshëm për shfrytëzimin e mundësive të sigurta për ndërhyrje apo për të ushtruar ndikim mbizotërues në çfarëdo regjimi të ri. Ne besojmë se jugosllavët nuk kanë qëllim për momentin të marrin pjesë në një grusht shteti ndaj regjimit të Hoxhës. Ata ndoshta e kanë llogaritur që bërja e një gjëje të tillë do të krijonte rreziqe serioze për provokim mospëlqimi nga ana e Perëndimit dhe hakmarrje prej sovjetikëve. Ata ndoshta mund të merrnin pjesë në një grusht shteti, nëse do të mendonin se kjo mund të bëhej pa rrezikuar këto gjëra. Si rezultat, ata mund të jenë të gatshëm të bashkëveprojnë me fuqi të tjera në një përpjekje për grusht shteti në ndonjë ditë të ardhme. Megjithatë, bashkëpunimi jugosllav do të ishte ndoshta i kushtëzuar nga mundësia e një kontrolli të mjaftueshëm prej jugosllavëve ndaj metodës dhe natyrës së përpjekejes për grusht shteti për të minimizuar kështu, rreziqet për Jugosllavinë, si dhe nga besimi se ajo mund të mbizotërojë më në fund regjimin e ri në Shqipëri. Nën rrethanat aktuale, kombet e tjera të Evropës Perëndimore, përfshirë dhe Mbretërinë e Bashkuar, pothuajse pa dyshim parapëlqejnë statukuonë në Shqipëri më mirë, sesa rreziqet që do të përfshinte përpjekja për vendosjen e regjimit properëndimor.

Reagimi i bllokut sovjetik

Reagimi i bllokut sovjetik ndaj përpjekjes për grusht shteti për rrëzimin e regjimit të Hoxhës, do të varej nga mënyra dhe shpejtësia e realizimit të grushtit, nga reagimi i fuqive të tjera të interesuara dhe nga situata globale që ekziston në atë moment. Nëse BRSS-ja do të mësonte për ndonjë plan grushti shteti përpara se ai të ndodhte, pothuajse padyshim do të merrte masa parandaluese. Ata do të ndërmerrnin një sërë veprimesh si: përmirësimi i masave të sigurisë, dërgimin e forcave sovjetike apo të sateliteve në Shqipëri dhe demonstrime force në kufijtë jugosllavë dhe grekë. Sunduesit sovjetikë do ta shfrytëzonin situatën në mënyrë që të krijonin ndarje, dyshim dhe mosbesim maksimal mes vendeve të NATO-s dhe brenda botës së lirë në përgjithësi. Nëse BRSS-ja nuk do të mësonte për një grusht shteti të planifikuar përpara se ai të ndodhte, por grushti do të shtypej shpejt prej regjimit aktual shqiptar, BRSS-ja do ta shfrytëzonte situatën në mënyrë të njëjtë. Nëse do të kishte përpjekje për grusht shteti dhe kjo do të ishte një sukses i shpejtë, sunduesit sovjetikë do të përballeshin me një vendim të vështirë. Paraqiten disa mundësi: luftë globale. Ne besojmë se ka shumë pak gjasa që sunduesit sovjetikë të nisin me qëllim një luftë globale mbi Shqipërinë. Kundërveprim ushtarak brenda zonës, pavarësisht nga fakti kush e nisi apo mbështeti grushtin e shtetit. Sunduesit sovjetikë mund të arrijnë në një mendje se të pranosh humbjen e Shqipërisë do t’i krijonte sfida dhe më të forta bllokut sovjetik që do të rezultonte në humbje serioze dhe përfundimtare të pozitave. Si rezultat ata mund të drejtojnë satelitët evropianë përmes Jugosllavisë për të ardhur në mbrojtje të Shqipërisë. Nëse kjo ndodh, ata do të presin zhvillime tensionesh serioze në koalicionin e Atlantikut Verior. Nga ana tjetër, ata do të njihnin rrezikun se Perëndimi do të vinte në mbështetje të Jugosllavisë me pasoja rreziku serioz për luftë globale. Ne besojmë se BRSS-ja ndoshta nuk do ta ndërmerrte këtë rrezik. Pranimi i humbjes së Shqipërisë dhe hakmarrje ndokund tjetër, nëse udhëheqësit sovjetikë nuk do të ishin të gatshëm të pranonin rreziqet e luftës globale që do të ndodhte padyshim në rast kundërveprimi ushtarak, do të ishin të detyruar të pranonin humbjen e Shqipërisë. Megjithatë, udhëheqësit sovjetikë do të intensifikonin ndoshta presionet e tyre në pikat e dobëta në botën e lirë (për shembull në Berlin, Vienë, Iran apo Indokinë) në përpjekjë për të larguar efektin psikologjik të humbjes së Shqipërisë. Kundërveprime politike: Më e pakta, BRSS-ja do të intensifikonte fushatën propagandistike kundër Perëndimit, duke shfrytëzuar çfarëdo përçarje që do të kishte ekzistuar në lidhje me grushtin e shtetit në Shqipëri. Ajo mund të bënte demonstrim force dhe mund të përpiqej të ndante Perëndimin me kërcënime lufte. Në varësi të vlerësimit që do t’i bënte qëndrimeve të kombeve të ndryshme anëtare, mund t’i bënte thirrje Kombeve të Bashkuara ose do të inkurajonte ndonjë vend të papërkushtuar ta bënte këtë. Në fund të fundit, nëse do të shmangej një luftë lokale apo globale, një përpjekje për grusht shteti në Shqipëri e suksesshme apo jo, nuk do të bënte ndonjë ndryshim të madh në qëndrimin sovjetik ndaj Perëndimit. Sunduesit sovjetikë do ta shikonin përpjekjen për grusht shteti thjesht si një incident në betejën e gjatë mes komunizmit dhe kapitalizmit. Megjithatë, ata mund të arrijnë në mendimin se Perëndimi po shpejtonte ritmin e betejës. Si rezultat, ata ndoshta do të intensifikonin përgatitjet e tyre ushtarake dhe do të përmirësonin gatishmërinë e tyre për luftë. Një përpjekje për grusht shteti në Shqipëri, veçanërisht po të ishte e suksesshme, do të rriste shpresat e elementëve disidentë brenda vendeve të tjerë satelite. Në disa raste mund të provokonte përpjekje për rezistencë të parakohshme e të kotë. Do të provokonte përpjekje më të mëdha për siguri nga autoritetet sovjetike e satelitare.

Zhvillime të mundshme në Shqipëri

Çdo regjim i ri në Shqipëri, pavarësisht nga udhëheqja e tij, orientimi apo mbështetja e jashtme, do të përballej me probleme të brendshme të mëdha, por jo të pazgjidhshme. Nëse udhëheqja e re do të ishte e fortë dhe e aftë, njerëzit përgjithësisht do ta mbështesnin. Regjimi i ri nuk do të kërkonte vetëm mbështetje politike dhe luftarake, por do të kërkonte gjithashtu, dhe mbështetje të vazhdueshme ekonomike nga Perëndimi, ndoshta nga Shtetet e Bashkuara. Nëse fuqitë kryesore Perëndimore, dhe veçanërisht Shtetet e Bashkuara, do të shpallnin dhe do të përmbushnin një qëllim për të siguruar mbështetje politike dhe ekonomike për regjimin e ri, mbështetja popullore shqiptare do të pasonte shumë shpejt. Për pak kohë mbas vendosjes së regjimit të grushtshtetit, orientimi i tij i përcaktuar politik do të varej nga personalitetet që do ta kontrollonin dhe lidhjet e tyre me Perëndimin. Siç është vënë re më sipër, Jugosllavia, Greqia dhe Italia do të përpiqeshin të fitonin ndonjë lloj pozicioni apo mbizotërimi të veçantë. Grekët ka shumë mundësi të dëshironin një status të veçantë për Epirin Verior. Italianët ndoshta do të kërkonin rivendosjen e disa prej koncensioneve të tyre të paraluftës. Gjithashtu, Italia kërkonte rivendosje graduale të ndikimit të saj politik të paraluftës. Jugosllavët do të përpiqeshin të depërtonin dhe më në fund të dominonin regjimin. Regjimi i ri, si të gjithë regjimet e mëparshme në Shqipëri, do të kishte nevojë për mbështetjen dhe mbrojtjen aktive të një fuqie më të madhe. Sjellja e vërtetë e tri fqinjëve të Shqipërisë do të ndikohej nga masa e përkushtimit të Shteteve të Bashkuara ndaj regjimit të ri. Zëvendësdrejtori për Inteligjencën, këshilluesit ushtarakë të presidentit, besojnë se pasojat e mëposhtme trashëguese të çdo lloj ndryshimi të qeverisë shqiptare, vlejnë të vihen re: Një regjim jomiqësor do të zëvendësohej nga një regjim miqësor. Një territor i dominuar nga sovjetikët do të hiqej nga një zonë e mbrojtur prej sulmit sovjetik. Elementë disidentë në vende të tjera satelite do të inkurajoheshin për të kundërshtuar dominancën sovjetike. Popujt e lirë të botës dhe qeveritë e tyre do të inkurajoheshin në kundërshtimin e tyre ndaj sovjetikëve. E kombinuar dhe me dezertimin e jugosllavëve, kjo do të ndihmonte për të demonstruar se pushtimi i BRSS-së ndaj satelitëve nuk është i pathyeshëm. (T. Obsever)







prapa

FOTO/VIDEO LAJM
Qyteti libian Misrata i djegur dhe me rrugë të boshatisura. (VIDEO)
15/04/2011 08:20:00Read More
EKSKLUZIVE
Dilema e CIA-s: Nëse përmbysim komunizmin në Shqipëri
Përllogaritje e CIA-s për pasojat e një përpjekjeje për të përmbysur sistemin komunist shqiptar në vitin 1952.
15/04/2011 08:15:00Read More
insig

Copyright 2008 INA-ONLINE.NET
 

No comments:

Post a Comment