Mërgimtarë nga të gjitha viset shqiptare në Maqedoni të cilët jetojnë dhe punojnë në kantone të ndryshme anembanë Zvicrës, në Niederveningen Restoran Frohsin mbajtën një tubim ku i dhanë përkrahje të fuqishme subjektit të ri politik shqiptar në Maqedoni të udhëhequr nga Rufi Osmani.
Mesut Asani bashë-koordinator i Këshillit për mbështetje të RDK-së, shprehu kënaqësi të veçantë për këtë takim dhe mbështetjen që duhet dhënë RDK-së, sepse siç u shpreh ai është momenti për ndryshime pozitive.
Bashkë-koordinatori tjetër, Nexhat Mustafa, të pranishmit në këtë takim i njoftoi se faktori politik shqiptar në Maqedoni pasurohet me një subjekt të ri - Rilindjen Demokratike Kombëtare.
“Kjo parti udhëhiqet nga Rufi Osmani, person i dëshmuar se në shpirt ka ndershmëri, seriozitet, devotshmëri, vendosmëri, guxim intelektual dhe është figurë e pastër me moral të lartë kombëtar. Përmes RDK-së, popullit shqiptar në Maqedoni i jepet shans që të ketë më shumë iniciativa, realizim projektesh dhe krijohen kushte që ky popull të shprehë vrullin e madh të ndaluar dhe të shuar deri më tash, si dhe entuziazmin e vet që deri dje ka pësuar vetëm dështime dhe nëpërkëmbje kombëtare”, theksoi Mustafa.
Pjesëmarrësit shprehën gatishmërinë e mërgatës shqiptare për përkrahje gjithnjë më të madhe për të fuqizuar RDK-në përmes vullnetarisht, moralisht dhe materialisht.
Në fund të tubimit, të pranishmit kërkuan që të shtohet vëmendja për organizim sa më të mirë dhe më efikas për të realizuar dhe përmbushur detyrat në kohë të caktuar, si dhe mobilizimin e masës për pjesëmarrje aktive gjatë fushatës zgjedhore.
Tubimi i radhës me mbështetësit, aktivistët dhe simpatizuesit e RDK-së do të mbahet më 17.04.11 (e diel) në orën 13 në Klubin Shqiptar "Vardari" në Regensdorf (EIchWat). (INA)
No comments:
Post a Comment