Wednesday, October 17, 2012

Zoti kthehet në himnin kombëtar


Në prag të shënimit të 100 vjetorit të shtetit dhe flamurit kombëtar, kryeministri Berisha hapi rrugën e kthimit të strofës që iu kishte hequr himnit gjatë kohës së diktaturës komuniste. Rikthehen pikërisht vargjet ku shqiptarët apelojnë Zotin, pasi siç vlerëson Berisha, Zoti dhe Kombi janë një dhe të pandarë
“Se Zoti vetë e tha me gojë, që kombet shuhen përmbi dhe, por Shqipëria do të rrojë, për të për të luftojmë ne”. Janë këto vargjet të cilave iu dha dritë jeshile kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, që t’i kthen himnit kombëtar shqiptar. Rikthehet pikërisht strofa ku shqiptarët apelojnë Zotin, pasi siç vlerëson Berisha, Zoti dhe Kombi janë një dhe të pandarë. Të hequra në kohën e Shqipërisë komuniste, vargjet e Asrdrenit po mëtohet të kthehen në ditët kur po festohet 100 vjetori i pavarësisë së shtetit dhe flamurit shqiptarë. “Apeli i shqiptarëve tek Zoti është apeli më i drejtë, se Zoti dhe kombi janë një dhe të pandarë. Dashuria për kombin buron nga fryma e Zotit, ndaj duhet të shihen modalitetet se si të kthehet kjo strofë. Himni duhet të kthehet në variantin e tij të plotë, siç e shkruajti Aleksandër Drenova”, deklaroi kryeministri Berisha. Gazeta Shqiptare ndërkaq shkruan për një dakordim që ka arritur në drejtim të kësaj nga besimet fetare.

100 vjet, 100 sfida
Informacione dhe detaje nga historia e himnit janë të kufizuara. Poeti Lasgush Poradeci është ai i cili ka përshkruar dhe botuar i pari historinë e krijimit të himnit tonë kombëtar shqiptar. U bë edhe rrëfyesi kryesor për këtë ngjarje madhore. Në rrëfimin e tij të tërheq vëmendjen një hollësi, që lidhet me faktin se askush në ato çaste historike për Shqipërinë, nuk mendonte se ajo këngë e ngritur dhe e kënduar për të parën herë nga kori i kolonisë shqiptare të Bukureshtit, do të ishte himni i ardhshëm. Ja ç’thotë Lasgushi: -…me fjalë të tjera, himni nuk u përgatit me qëllimin e posaçmë që të shërbejë si Himn Kombëtar, të përmbushë misionin e shenjtë të këngës simbolike zyrtare të popullit”. Gjatë hulumtimeve të materialeve dokumentare rreth lëndës në fjalë, në librin “The Guinnes Book of Music”, është shkruar si më poshtë: himni “Rreth flamurit të përbashkuar” është pranuar si himn kombëtar i Shqipërisë në vitin 1912, fjalët e himnit janë shkruar nga Asdreni, muzika e himnit është kompozuar nga Ciprian Porumbesku. Himni dhe debatet për mundësinë e një himni të ri, janë trajtuar herë pas here në media. Përpjekje për një himn të ri shqiptar janë bërë që në dhjetëvjeçarin e parë pas Pavarësisë, më 1922 dhe më pas përsëri më 1937 për tekstin e tij. Pas Luftës, më 1946 u shpallën dhe fituesit për një himn të ri kombëtar dhe në fillim të viteve 1970 u shpallën të tjerë finalistë për muzikën.  Edhe shkrimtari Ismail Kadare kishte paralajmëruar për një debat të mundshëm për ndërrimin e himnit rreth dy vite më parë në veprën e tij letrare “Marrëveshja - Mbi raportet e Shqipërisë me vetveten” - pse duhet ndërruar himni dhe çfarë përfaqëson teksti i tij, një përvojë personale, kur u hap konkursi për ndërrimin e himnit në kohën e diktaturës.  Ndërkaq një ndërhyrje në himnin kombëtar shqiptar u kërkua edhe para disa muajve. Sipas zyrës së Avokatit të Popullit të Shqipërisë, ndërhyrjet që u kërkuan në fillim të vitit janë dy: në strofën e dytë dhe ne strofën e gjashte. “Teksti i Asdrenit është i mrekullueshëm, duam të përgatisim një propozim që përfshin edhe gratë”, kishin thënë nga zyra e Avokatit të Popullit për mediat shqiptare. Himni kombëtar, gjendet edhe në Kushtetutën e Shqipërisë në nenin 14 pika 4 e saj, ndërsa ndryshe si në asnjë himn tjetër të botës, himni ynë ekzistues është një me flamurin kombëtar. Rrugëtimi i tij nisi mbi 100 vjet më parë. Ishte poeti Alesaksandër Stavre Drenova (Asdreni), një emigrant shqiptar në Bukuresht ai që e shkroi në vitin 1907-1908, në periudhën kur ende Shqipëria nuk ekzistonte si shtet, periudhë kur një tjetër emigrant shqiptar, Faik Konica në Bruksel po gjurmonte për të zbuluar flamurin e hershëm të Kastriotëve. Kësisoj shqiptarët e Bukureshtit arritën të sillnin, muzikën dhe fjalët bashkë në Shqipëri, ndërkohë që po porositej edhe qëndisja e flamurit dykrerësh. 28 Nëntori i vitit 1912  i bashkoi himnin dhe Flamurin në Vlorë. Flamuri u shpalos për të shpallur shtetin e ri, ndërkohë që po aty u këndua edhe himni kombëtar.  Pas pëlqimit të përgjithshëm të “Rreth flamurit të përbashkuar” si himn kombëtar 100 vjet më parë në vazhdimisht ishin shkruan kënhë a poezi për himn kombëtar. Kishin shkruar At Gjergj Fishta më 1913, Ernest Koliqi më 1921 si fitues i vendit të parë në konkursin për himn kombëtar shpallur nga Ministria e Arsimit, Fan S.Noli më 14 nëntor 1926 me titull “Hymni i flamurit”, Mihal Grameno me titull “Kënga Kombëtare”, Hil Mosi “Himn i Bandës së Lirisë”. Himn kemi edhe nga poeti Lasgush Poradeci më 1933, të botuar tek “Vallja e yjeve” etj. E përbashkëta e gjithë këtyre poezive është fakti se që të gjitha pothuajse i referohen përsëri simbolit të flamurit, gjë që është edhe në thelb të poezisë së Asdrenit. 

Përvojat tjera
Në një vështrim të përgjithshëm, çështja e himneve kombëtare të vendeve të ndryshme është një problem i cili filloi të popullarizohej fillimisht në Angli, diku aty nga mesi i shek. XVIII. Në fakt, himne ka patur edhe përpara kësaj kohe, por rëndësia dhe kuptimi i tyre nuk ka qenë në këtë shkallë kaq të rëndësishme të cilës i referohemi neve sot, pasi askush nuk e mendonte se ky lloj formimi i ri muzikor do të përfaqësonte një nga gjetjet gjeniale të të shprehurit të shpirtit të popujve. Muzikologjia daton si të parin himn atë të Holandës, himn i cili i përket vitit 1572 - “Wilhelmus van Nassouwe”. Ndërkohë, himni me fjalët më te vjetra në origjinë i përket himnit japonez, rreth shek. IX, tekst i cili rrjedh kryesisht nga folklori. Po në këtë arsyetim, himni më i gjatë në ekzekutim është “Marcha de la Patria”, i Argjentinës kompozuar nga Blas Parera në vitin 1813; ndërkaq himni kombëtar me më shumë vargje është ai i Greqisë etj. Pra historia e formimit të himneve kombëtare është e ndryshme në vende të ndryshme. Me sa duket, në përcaktimin ose jo të një krijimi muziko-letrar si himn kombëtar, rol kryesor kanë luajtur edhe kontekste të caktuara, kryesisht historike në historinë e një vendi. Por ka edhe shembuj të tjerë. (Përgatiti Venera LATIFI-AZIZ)

Disa nga shtetit që përmendin Zoti në Himn
Britania e Madhe; Zelanda e Re; Brunei; Fixhi; Gana; Kenia; Serbia; Tazania; Malavi; Ishujt Solomone; Sudan; Suazilend

Strofat që janë përjashtuar nga himni
Se zoti vetë e tha me gojë
Që kombet shuhen përmbi dhe
Po Shqipëria do të rojë
për të, për të luftojmë ne!

Bashkimi në BE 
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë zhvilloi të premten një vizitë në Gjakovë dhe në Deçan të Kosovës. Berisha së bashku me autoritetet më të larta të Kosovës ishte i pranishëm në ceremonitë e vendosjes së shtatoreve të patriotëve shqiptarë në Gjakovë dhe Deçan. Kryeministri shqiptar tha se sot më shumë se kurrë apeli i patriotëve është i fuqishëm dhe ne duhet punojmë çdo ditë për bashkimin tonë përfundimtarë në Evropë, sipas tij, këtë kanë dashur edhe patriotët tanë të cilët kanë luftuar, për bashkimin e trojeve. 

PAK HISTORI...
1907-1908: Themelohet në Bukuresht, Kori Kishtar Shqiptar në përbërje të të cilit janë 30 të rinj shqiptarë. Mitropolia runune jep leje të meshërohet shqip në një kishë të vjetër të Bukureshtit të quajtur Shën Gjergji i Vjetër. Për këtë kor dhe nga ky kor do të këndohet për herë të parë Himni Kombëtar Shqiptar.
1908-1909: Himni dërgohet për herë të parë në atdhe nga kolonia shqiptare e Bukureshtit  në vitin 1908 përmes Tashko Ilos dhe Hil Mosit. Kur ndodhej përkohësisht në gjirin e shoqërisë Bashkimi, atdhetari Hil Mosi, e dëgjoi këtë himn, e pëlqeu dhe e solli së andejmi në Korçë ku e përhapi nëpërmjet anëtarëve të shoqërisë Vllazëria.Mësimi dhe përhapja e himnit filloi nga Korça në të gjithë Shqipërinë përmes mësimit të këngës.
21 prill 1912: Për të parën herë tekstin origjinal të Himnit të Flamurit shkruar nga Asdreni me titullin Betimi mbi flamur, e ndeshim në gazetën Liri e Shqipërisë, në Sofje.
28 nëntor 1912: Himni këndohet në ditën e shpalljes së pavarësisë si marsh patriotik.image

No comments:

Post a Comment