Godina që gjendet pranë disa ministrive dhe institucioneve të tjera shtetërore është në varësi të Qeverisë, prej së cilës pritet vendimi për akordimin e objektit Institutit që pas më shumë se pesë vitesh themelimi ende nuk ka as adresë të vetën
Evis HALILI
Shkup, 24 tetor - Instituti i Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore po numëron ditët e tij të fundit në objektin e ish-ambasadës amerikane. Presin transferimin e tretë, që sipas të gjitha gjasave, do të jetë objekti katërkatësh në qendër, ish njësi e ndërmarrjes së falimentuar Emo, për t’i dhënë fund privimeve absurdeve të mospasjes së një adrese, ambienteve të përhershme apo edhe të drejtës për të mbajtur mbishkrimin me emrin e institucionit. Godina që gjendet pranë disa ministrive dhe institucioneve të tjera shtetërore, është në varësi të Qeverisë, prej së cilës pritet vendimi për akordimin e objektit Institutit që pas më shumë se pesë vitesh themelimi, ende nuk ka as adresë të veten. Ky transferim do të jetë i treti, por që shpresohet të mbetet edhe përfundimtari, nëse do të plotësohen edhe kërkesat që kanë të bëjnë më meremetimin dhe adoptimin e ndërtesës konform nevojave të institucionit shkencor.
Në Institut nuk japin shpjegime përpos se bëjnë me dije se në kërkesën e tyre drejtuar Qeverisë, ata kanë kërkuar që të kenë mundësi të disponojnë me një objekt që do t’i jepej në përdorim në një afat më të gjatë kohor, që do të ishte në afërsi të institucioneve të tjera të kësaj natyre, por edhe që ambientet e brendshme do të ishin funksionale në përputhje me nevojat për zhvillimin normal të aktivitetit të tij, që është zgjeruar edhe me çeljen e studimeve pasuniversitare. “Të gjithë punonjësit e kanë vizituar objektin dhe jemi dakorduar me këtë propozim. Mbetet që të plotësohen kërkesat që kemi bërë për meremetimin e brendshëm të tij”, thonë në Institut. Pritet që transferimi të mos shtyhet më vonë se deri në fund të këtij viti. ITSHKSH prej më shumë se dy vjetësh funksiononte në njërin krah të ish-ndërtesës së ambasadës amerikane, një vendndodhje kjo provizore pas shpërnguljes nga lokacioni i parë, Kurshumli Han në Çarshi, me kërkesë të Ministrisë së Kulturës së Turqisë që kërkonte të hapte Qendrën e Kulturës pikërisht në këtë vend. Edhe pse për vendndodhjen e dytë u spekulua se do të ishte edhe lokacioni përfundimtar, nuk u arrit të merrej miratimi i Komunës së Karposhit dhe Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, për objektin që gjendej në kompetenca të tyre dhe për të cilin kërkonin që të ngrinin një çerdhe. Arsyeja e përshpejtimit të këtij transferimi të radhës ka të bëjë edhe me kërkesën e bërë nga Qeveria bullgare për ta shndërruar objektin në përfaqësinë e tyre diplomatike, kërkesë kjo e bërë disa kohë më parë në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Në një prej mbledhjeve të saj, Qeveria ngarkoi MPPS si dhe Drejtorinë e shërbimeve të përbashkëta për të gjetur një vendndodhje optimale për ITSHKSH. 

No comments:
Post a Comment