Ka mjaftuar një aksion që të aktivizojë mëritë mes institucioneve. Në Institutin e Trashëgimisë vazhdon aksioni për grumbullimin e librave për Shtëpinë e Alfabetit, edhe pse drejtori në Manastir thotë se nuk i duhen libra. Duan, s’duan, librat po grumbullohen dhe mesa duket do t’ia gjejnë vendin. “Fundja, edhe po të mos i duhen muzeut, do t’ia ndajnë qytetarëve”, thonë në Institut
Evis HALILI
Shkup, 16 tetor - I duhen apo jo librat Shtëpisë së Alfabetit në Manastir? Nisma “Dhuro një libër” së cilës deri tani i janë përgjigjur vetëm individë duke dhuruar libra nga bibliotekat personale, apo edhe koleksione nga shtëpi botuese private, ka aktivizuar edhe mëritë institucionale. Ndërsa në Institutin e Trashëgimisë, që është edhe organizator i kësaj nisme, me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar, 5 vjetorit të themelimit të Institutit dhe 104 vjetorit të Kongresit të Alfabetit, aksioni vullnetar vazhdon të jetë i hapur, në Ministrinë e Kulturës dhe në vetë Shtëpinë e Alfabetit pohojnë se nuk i nevojiten librat. Muzeut të Alfabetit vetëm libra që nuk i duhen për momentin, thotë sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Myzafer Bislimi.
“Muzeu ka nevojë për mjete financiare dhe jo për libra. Librat grumbullohen lehtë, personalisht ne si Ministri mund të dërgojmë pa problem, po aty s’ka as vend dhe as bibliotekë. Askush nuk është konsultuar për një nismë të tillë”, thotë Bislimi. Sipas tij, fondi i akorduar prej dy milionë denarë Muzeut pritet të shfrytëzohet për rregullimin e enterierit, dhe më primare është grumbullimi i eksponateve që do të vendosen në stendat e shtëpisë. Të njëjtën gjë e pohojnë edhe në Manastir. Drejtori i Muzeut, Gazmend Hoxhaj, thotë se është në dijeni të kësaj nisme, por librat nuk i duhen.
“Ky është një aksion që nuk përputhet me planet tona dhe aktivitetet që kemi tani më 22 nëntor. Është shumë herët për të mbledhur libra dhe për të pasur bibliotekë. Dhe nuk është problem për t’i siguruar, ne si Muze kemi patur njw marrëveshje me Bibliotekën e Tetovës për të na furnizuar me libra, por e kemi lënë për më vonë. Tani s’ka as vend për një gjë të tillë”, thotë drejtori Hoxhaj. Megjithatë, aksioni në ITKSH vazhdon dhe do të mbyllet këtë muaj, më 22 tetor.
“I duhen apo nuk i duhen librat, ne do t’i mbledhim. Nëse s’i duan ata, do t’ia ndajmë qytetarëve në Manastir”, përgjigjet prerazi drejtori Shefqet Zekolli. Përmes një thirrje të hapur, Instituti i ka ftuar intelektualët, organizatat, institucionet arsimore dhe shkencore, përfaqësuesit e pushtetit lokal, botuesit, pronarët e shtypshkronjave dhe të librarive që të përfshihen në këtë aksion vullnetar dhe sensibilizues për dhurimin e librave Shtëpisë muze të Kongresit të alfabetit në Manastir, me qëllim që të ndihmojmë atë dhe shqiptarët e këtij qyteti të lashtë. “Vetë Instituti do të dhurojë 100 libra dhe së bashku me librat e tjerë të grumbulluara t’i dërgojë në Manastir”, thuhet ndër të tjera në lajmërim. Deri tani libra ka dhuruar shtëpia botuese “Vatra”, e disa studiues nga bibliotekat e tyre personale. Aktivitetet e sivjetshme me rastin e 104 vjetorit të Ditës së Alfabetit do të zhvillohen në formatin e viteve të kaluara - ekspozita dhe akademi përkujtimore. Edhe problemet e shtëpisë mbeten të njëjta, kontesti pronësor-juridik ende nuk është zgjidhur plotësisht, duke bërë që kjo ndërtesë emblematike për trashëgiminë shqiptare të jetë në pronësi të më shumë pronarëve.

No comments:
Post a Comment