Monday, October 22, 2012

Gjakmarrja, një sfidë - Luigj Shyti


Ditët e fundit në Shkodër u organizua një kuvend në lidhje me gjakmarrjen dhe problemet rreth këtij fenomeni.  Është një gjë shumë e mirë kur merremi me këtë problem meqenëse është shumë aktual, shumë dramatik, është forma më arkaike e në marrëdhëniet shoqërore të një komuniteti, të një shteti. Duhet thënë që në fillim se mungonin në këtë kuvend shumë persona që duhet të ishin, si drejtuesit e lartë të Qarkut, Bashkisë, drejtuesit e komunave. Por edhe shumë nga ata që ishin të pranishëm, nuk e morën mundimin që të merrnin pjesë në diskutime. Ndaj është me vlerë të japim disa mendime. Në përpjekjet që bëhen për të ulur dhe zhdukur fenomenin e gjakmarrjes, nuk del qartë se përse ajo ndodh, kush është shkaku, me qëllim që të mund të gjenden ata faktorë që çojnë te ky fenomen.
Hakmarrja, vrasja e gjakmarrja e ka zanafillën e vet që kur u formësua njeriu. Për to u mendua, qëkur u shkrua  me një degë peme në hirin e vatrës, apo me thëngjill apo pupël shpendësh dhe deri në të sotmen kur elektronika ka arritur lartësi të paimagjinueshme. Është shumë e qartë se faktori që çon në gjakmarrje është vrasja, pra vrasja është shkaku, ndërsa gjakmarrja është pasojë. Gjakmarrja është e organizuar, me paramendim, me gjakftohtësi dhe për këtë duhet dhe bëhen përpjekje për eliminimin e saj. Sipas statistikave vetëm 7% janë të vrarë për gjakmarrje.
Por sa flitet për 93% të vrasjeve; a nuk janë edhe këta njerëz që u është këputur jeta në mes? Duke shkuar më tej duhet pyetur se sa për këto vrasje sa ndiqet ky problem nga policia, prokuroria, gjykatat, sa marrin njerëzit dënimin e merituar, sepse një gjë e tillë do të ulte shumë gjakrat e familjeve të viktimave, do të jepte mundësi pajtimi, faljeje etj. Por kur nuk gjenden dhe nuk marrin dënimin e merituar ata që kanë vrarë, rrugët për pajtim dhe falje janë shumë më të vështira, më të pamundura. Kjo çon në vetëgjyqësi.
Në asnjë nen të Kanunit nuk flitet për mbyllje të fëmijëve dhe grave brenda, por duket se këto veprime bëhen nga njerëz për qëllime të caktuara, ndoshta edhe  përfitimi material. Po kështu nuk më duket e drejtë që të thuhet se mbi malësorët rëndon më shumë Kanuni se ligji, sepse pastaj lind pyetja a e sundon ligji në gjithë territorin e vendit. Puna për pajtimin dhe faljen e gjakut duhet të bëhet pa ndodhur vrasja për gjakmarrje, kjo a mund të bëhet dhe kjo duhet të bëhet, sepse kur ka ndodhur vrasja për gjakmarrje puna ndryshon shumë, është më i lehtë pajtimi por ka shkua edhe një jetë njeriut. Vazhdon të trajtohet problemi i organizatave të pajtimeve me “burra”, kjo nënvlerëson punën e grave që janë shumë të rëndësishme

edhe në faljen e gjakut dhe pajtimet.  Një rol me rëndësi ka edhe media. “Gjakmarrja shpesh është keqinterpretuar, fryrë, dhe përdorur për fitime, ndonëse gjatë viteve të fundit ky fenomen është ralluar disi”. Ky ishte konkluzioni i reporterit të OKB për ekzekutimet jashtëgjyqësore. Kritikat e tij ranë mbi komunitetin e donatorëve dhe natyrisht edhe mbi shtetin shqiptar. Si u gjendkan fotoreporterë të mediave të ndryshme të huaja gjithnjë në kohën e duhur e në vendin e duhur, përpara njerëzve të armatosur të gatshëm për të marrë gjak, përpara fëmijëve që qajnë të ngujuar prapa hekurave të dritareve? Kjo duket se ka pasur një skenar të përcaktuar dhe një regji të mirë studiuar. Nga ky fenomen nuk është e përjashtuar as media shqiptare. Edhe ajo vrapon pas kronikave të zeza. Kjo duhet, por në masën e duhur, sepse vjen një moment dhe siç thotë populli “bëhet marrja log” dhe nuk i len më vend edukimit; përkundrazi mund të çojë deri në atë pikë sa mund të thuhet “hajt more se kam shokë boll”.
Shpesh shikohen emisione apo lajme ku vetëm kritika bëhen, vetëm të meta rreshtohen. Mirë more, se këto janë, por a punon ndokush, a bën kush ndonjë punë të mirë që mund të mësojnë edhe të tjerët prej tij?  Kanunin e bëjnë të zëshëm njerëzit me veprimet e mosveprimet tyre. Njerëzit duhet të heshtin e të lënë të flasë ligji, shteti, në qoftë duam të jemi me kohën e sotme dhe të ardhmen. Kanuni e ka kryer misionin e vet. Ai i përket të kaluarës.  Ne e duam dhe kërkojmë të shkojmë në Europë, por duhet ta kemi shumë të qartë se dyert e saj, sado të mëdha që i ka, nuk hapen dhe as nuk na zënë me pushkë. Dyert e saj hapen vetëm me punë, me shkollë, me kulturë, me shkencë, të cilat kemi mundësi që ti realizojmë. Globalizimi i pashmangshëm që po vjen vrullshëm, duhet të na gjejë me kulturën tonë të mirë e bashkëkohore të konsoliduar, gjë të cilën nuk e bën më e drejta zakonore, e thënë ndryshe Kanuni mesjetar, por ligjet e rregullat bashkëkohore.Gjakmarrja, një sfidë - Luigj Shyti

No comments:

Post a Comment