Në kohën kur një e treta e popullatës jeton në varfëri, të dhënat e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale tregojnë se sivjet për 17 për qind është ulur numri familjeve që fitojnë ndihmën sociale nga shteti
Ilir IVANOVSKI
Shkup, 16 tetor - Në ditën ndërkombëtare kundër urisë, rreth 40 mijë familje në Maqedoni rezulton të jetojnë me rreth 2.200 denarë deri në rreth 5 mijë denarë në muaj. Ndërkohë, 3900 persona të tjerë bukën e gojës e sigurojnë në kuzhinat popullore. Në kohën kur rreth një e treta e popullatës vendase jeton në varfëri, të dhënat e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale bëjnë të ditur se numri familjeve që fitojnë ndihmën e shtetit për t’i mbuluar nevojat ekzistenciale sivjet është ulur për rreth 17 për qind. Ulja e numrit të rasteve sociale nënkupton se kemi të bëjmë me rritje të standardit jetësor. Megjithatë, ndarja e shumës mujore e të hollave që ndahen si ndihmë sociale për çdo person të një familje katër ose pesë anëtarëshe, tregon se secili person që i takon kësaj kategorie, jeton me pak më shumë se një mijë denarë në muaj. Me rastin e ditës ndërkombëtare kundër urisë, njeriu i parë i Ministrisë së Punës është shprehur se dikasteri i tij do të vazhdojë të punojë në drejtim të përmirësimit të statusit të çdo qytetari vendas, megjithatë mënyrat për t’i ndihmuar kategoritë në rrezik janë kërkuar sërish tek vet popullata, më saktësisht tek donacionet. “Të dhënat zyrtare bëjnë të ditur se ndihmë sociale pranojnë 39 deri në 40 mijë familje, ndërsa 3.900 persona përdorin shërbimet e kuzhinave popullore që funksionojnë në të gjithë territorin e vendit. Ngjarja e sotme që mbahet para shtëpisë së humanistes Nënë Tereza ka për qëllim shënimin e Ditës ndërkombëtare kundër varfërisë dhe sensibilizimin e të gjithë kombit. Me varfërinë mund të luftojmë vetëm bashkërisht”, tha ministri Spiro Ristovski, duke folur në fillimin e fushatës “Mendoni edhe për ne”, e cila ka për qëllim vetëdijesimin e opinionit lidhur me problemet që i shkakton varfëria.
Fushata “Mendoni edhe për ne”, sipas të dhënave të Kryqit të Kuq, është paraparë të zhvillohet në 189 vende të botës, ndërsa ka për qëllim sigurimin e një deri në dy mijë pakove me ushqime, me të cilat do të ndihmohen familjet në gjendje të rëndë ekonomike, para fillimit të sezonit të dimrit. “Me pakot që është paraparë të sigurohen gjatë fushatës që do të përfundojë më 13 nëntor, kemi paraparë t’i ndihmojmë familjet me probleme ekzistenciale, para fillimit të dimrit”, tha Suzana Tuneva-Paunovska, sekretare e Kryqit të Kuq të Shkupit në hapjen e fushatës dhe para prezantimit të mënyrave me të cilat qytetarët mundë të dhurojnë mjete që do t’u jepen si pako sociale të varfërve.
Çdo i treti i varfër
Raporti i fundit lidhur me varfërinë në Maqedoni tregon se çdo i treti banor i vendit është i varfër. Raporti bën të ditur se vitin e kaluar, shkalla e varfërisë në Maqedoni ka arritur në 31 për qind. Sipas të dhënave zyrtare, shkalla e varfërisë është vlerësuar me analizimin e gjendjes së përgjithshme në të gjithë qytetet dhe rajonet e vendit. Gjithashtu, konstatimi se 31 për qind e popullatës jeton në varfëri ka ngritur alarmin për marrjen e masave emergjente për t’u ballafaquar me varfërinë, megjithëse definicione dhe masa universale për luftimin varfërisë nuk ekzistojnë.
868 milionë vuajnë nga uria
Sipas të dhënave të Agjencisë së Kombeve të bashkuara për ushqimin, një në tetë persona në botë është i kequshqyer. Këto të dhëna bëjnë të ditur se është zvogëluar progresi në luftimin e urisë që nga viti 2008, kur çmimet e larta të ushqimeve kishin nxitur trazira nëpër vendet e varfra. Në raportin fundit, agjencitë e OKB-së kanë vlerësuar se 868 milionë njerëz vuajnë nga uria, ose rreth 12.5 për qind e popullatës së botës, që është një rënie nga vlerësimi që ishte bërë në vitet 1990-92, kur të kequshqyer ishin rreth 1 miliard njerëz, ose 18.6 për qind e popullatës globale. Ndërkaq, vlerësohet se në të gjithë botën - rreth 200 milionë fëmijë nën 5 vjeç vuajnë nga kequshqyerja, emergjenca humanitare, përgjegjëse për vdekjen foshnjore të çdo një në tre fëmijë. Në të njëjtën kohë, një e treta e ushqimit, 1.3 miliardë tonelata, çohen dëm çdo vit, duke përfunduar në deponitë si mbeturina. 

No comments:
Post a Comment