Një nismë e re është hedhur gjatë kësaj jave për formimin e një koalicioni të unitetit midis forcave opozitare shqiptare, por pa përfshirë PDSH-në, njofton agjencia e lajmeve INA.
Nisma vjen nga një delegacion i diasporës shqiptare nga SHBA-të, që këto ditë po qëndrojnë për vizitë në Maqedoni dhe kanë zhvilluar takime me të gjitha forcat politike shqiptare, për të koordinuar dhe arritur formimin e një koalicioni të gjërë midis forcave opozitare shqiptare dhe për të dalë në zgjedhje me një listë unike.
Siç mëson agjencia e lajmeve INA, koalicioni është ende i hapur, ndërsa planifikohet në të Lista e përfaqësuesve të Komunitetit Shqiptaro-Amerikan, RDK, DR dhe PPD.
“Në rast se arrijmë gjuhën e përbashkët dhe duke shmangur interesat dhe qëllimet personale dhe partiako-ditore, fitorja do të jetë bindshëm e garantuar dhe një platformë e jonë e përbashkët do të ketë garanca edhe nga zyrtarë të administratës amerikane. Përndryshe do të pësohet keq dhe vota shqiptare do të përçahet dhe rezultati i zgjedhjeve do të jetë shumë në disfavor të partive shqiptare, pasi që secila prej tyre nuk fiton shumicën e duhur”, thekson për INA, një përfaqësues i kësaj nisme.
Në fushatën e listës së unitetit pritet të marrin pjesë edhe senatorë dhe kongresmenë të mirënjohur amerikan, të cilët kanë ndihmuar çlirimin e Kosovës.
Projekti i përbashkët synon paraqitjen e një platforme politike, e cila do të harmonizohet midis këtyre forcave pjesëmarrëse. Mirëpo, nisma pritet të marrë përgjigje gjatë javës së ardhshme, kur të gjitha partitë pritet të deklarohen se a mbështesin një projekt të tillë uniteti ndërpartiak për të shkuar bashkërisht në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. (INA)
Mre nga INA agjeni lajmesh
No comments:
Post a Comment