Wednesday, March 30, 2011

Ç'mendonte CIA në '85-n për Enver Hoxhën, Mehmet Shehun e Hysni Kapon

Vëzhgues që merren me Evropën Lindore kanë theksuar shpesh se rëndësia e Shqipërisë nuk ka të bëjë me faktin se çfarë është ajo, por ku është dhe kush e kontrollon. Pozita strategjike e Shqipërisë, 70 kilometra nga Italia nëpër ngushticën e Otrantos, ka qenë historikisht shkaku i pushtimeve të huaja të vendit: në fillim nga romakët, më vonë nga otomanët dhe pastaj nga fashistët italianë dhe nazistët gjermanë gjatë Luftës II Botërore. 


Enver Hoxha krijoi dhe udhëhoqi drejt fitores përfundimtare lëvizjen nacionalçlirimtare kundër dy pushtimeve të huaja të fundit dhe arriti të jetë udhëheqësi që qëndroi më gjatë në pushtet në një vend komunist. Përgjithësisht u konsiderua udhëheqësi më puritan, më i pamëshirshëm dhe më ksenofob në hisorinë moderne të Evropës, ai do të hyjë në historinë shqiptare, kryesisht se i dha vendit 40 vjet pavarësi kombëtare, periudha më e gjatë sidoqoftë, një akt heroik që është veçanërisht i rëndësishëm në vend një të tillë ashpërsisht nacionalist si Shqipëria, pa marrë parasysh se çfarë gjykimesh të tjera mund të jepen për të. Kur ai u zgjodh sekretar i parë i partisë, Ramiz Alia e quajti Enver Hoxhën "figurën më të madhe historike e kombit shqiptar", duke e vendosur edhe mbi heroin kombëtar të vendit, Skënderbeun.


TRE "MBROJTËS" TË HUAJ
Që nga fundi i Luftës II Botërore Shqipëria ka pasur tre "mbrojtës" të huaj: Jugosllavinë në vitet 1945-1948, Bashkimin Sovjetik më 1948-1961 dhe Kinën më 1961-1978. Që nga viti 1978 ajo ka qëndruar vetëm, pa padron, duke shpallur si vijë zyrtare mosangazhimin.


Vitet e fundit, megjithatë, Shqipëria ka filluar hapjen ndaj botës, kryesisht ndaj disa prej fqinjve të saj dhe në përgjithësi më shumë ndaj Perëndimit se sa Lindjes. Sfida kryesore e Shqipërisë pa Hoxhën do të jetë vazhdimi i këtij kursi pa trazira të mëdha. Trysnitë nga brenda dhe nga jashtë për të ndryshuar vulën unike të Hoxhës në politikën e brendshme dhe të jashtme do të jenë tejet të forta, të ngjashme me rrjedhën e ngjarjeve në Bashkimin Sovjetik pas Stalinit, në Kinë pas Maos, dhe në Spanjë pas Frankos.


TRASHËGIMIA E BRENDSHME E ENVER HOXHËS
Doktori Pol Miliez (Paul Milliez), mjek konsulent francez i Hoxhës dhe mbështetës i flaktë i llojit shqiptar të komunizmit, u takua me Hoxhën në dhjetor 1984 dhe deklaroi në një intervistë në Paris që Hoxha i kishte thënë se ishte përgatitur të vdiste i qetë, sepse ishte zgjidhur çështja e pasardhësit të tij (AP, 11 prill 1985). Në fakt Hoxha, ndryshe nga diktatorët e tjerë komunistë si Stalini, Titoja, ose Maoja, pothuajse më dorën e vet e kishte fiksuar pasuesin e tij. 


E realizoi këtë me kërdinë në udhëheqjen shqiptare, për të mos përmendur nivelet më të ulëta të partisë dhe administratës shtetërore. Sikurse eleminoi, aty nga mesi i viteve 1970, gati gjysmën e udhëheqësve të lartë të vendit, duke përfshirë Beqir Ballukun, Abdyl Këllezin, dhe Koço Theodosin. Kjo u pasua me largimin e Hysni Kapos, njeriu i tretë në hierarkinë e pushtetit, i cili vdiq nga shkaqe natyrore në vitin 1979. Në fund të vitit 1981 rrëzimi më spektakolar nga gjithçka kishte ndodhur, vetëvrasja, e njoftuar zyrtarisht si e tillë, e Mehmet Shehut, vazhdoi me denoncimin paranojak të Enver Hoxhës ndaj tij.


Largimi i Shehut solli spastrime në shkallë të gjerë duke arritur rangjet më të larta të partisë, dhe në procesin e ndërtimit të shtëpisë pjesa më e madhe që Hoxha kishte ngritur, u shemb. Një ndërtesë e re, thuajse nga hiçi, u ngrit rreth Ramiz Alisë, të cilin Hoxha e kishte zgjedhur personalisht si pasuesin e tij.


Sikur Hoxha të mos arrinte dot të hiqte qafe klikën e Shehut, ndoshta nuk do të kishte vdekur i qetë, sikurse citon Miliezi. Prania e Shehut në udhëheqje faktikisht me siguri do të krijonte situatë shpërthyese në vend, si në parti ashtu dhe në opinionin publik, pasi, nëse Hoxha është quajtur Stalini i Shqipërisë, mund të thuhet se Shehu ishte Beria i Shqipërisë. Nën sundimin e tij, Shqipëria do të shkonte me shpejtësi drejt trazirash të mëdha të brendshme.


ALIA, PA KARIZËM DHE PRESTIGJ
Hoxha mund të kenë qenë i kënaqur duke zgjedhur Alinë si pasardhësin e tij kompetent, sikurse ka thënë Miliezi, por sfida reale e temperamentit politik të Alisë vetëm sapo ka filluar. Udhëheqësi i ri 59-vjeçar ka në favor kredencialet e paqortueshme si partiak dhe se ka dhënë shenja si burrë shteti që nga viti 1982. Nuk konsiderohet njeri mizor, madje edhe kundërshtarët e regjimit komunist priren t'i japin pikë të larta për tolerancë. 

Megjithatë, Alia nuk ka as karizmën, as prestigjin e pararendësit të tij. Ai nuk është në gjendje të eliminojë kundërshtarët e tij sikurse e bënte këtë gjë me shpejtësi dhe efiçencë Hoxha. Për arsye personale dhe politike ai thjesht nuk mund "të likuidojë" kryeministrin apo bashkëpunëtorët duke qëndruar gjatë në pushtet apo të dërgojë ndihmësit e tij më të afërt në kampet e punës. Mbetet çështje spekulimi nëse Alia do të jetë në gjendje të mbijetojë me stilin e tij të sundimit, stil që është më tepër human.
LEHTËSIM DHE PASIGURI
Pa dyshim anëtarët e thjeshtë të Partisë së Punës së Shqipërisë janë ende të hutuar pas vdekjes së njeriut që ishte udhëheqësi i tyre për kaq shumë vite. Ndonëse shumë njerëz mund të kenë qenë të sinqertë në ditët e zisë, gjithsesi ka dhe një ndjenjë të përgjithshme lehtësimi dhe shprese për një të ardhme më pak të ashpër. E ardhmja, sigurisht, është e pasigurt. Viktimat e së kaluarës pa dyshim do të fillojnë të bëjnë ankesat e tyre, dhe ata janë të shumtë.


Gegët në veri do të flasin më hapur, duke qenë pak a shumë të shpërfillur në vite. Në vitet e tij të fundit Hoxha u përpoq t'i kushtojë pak më tepër vëmendje veriut - të dy, Alia dhe kryeministri Adil Çarçani, janë gegë (Çarçani nuk ishte geg, por nga Gjirokastra, ndërkohë në të vërtetë pas çlirimit ka drejtuar komitetin e PPSH në Shkodër) - dhe Shkodra, qendër e rëndësishme e veriut dhe e kaq shumë e lënë pas dore në të kaluarën, është marrë më shumë në konsideratë. Ende, toskët e jugut vazhdojnë të mbizotërojnë në Tiranë; mund të shpërthejë zhgënjimi në mbarë veriun.


Duhet të kihen parasysh mijëra viktimat e drejtpërdrejta dhe të tërthorta të spastrimeve të përgjakshme të shumta në të kaluarën, që do të formojnë grup tjetër presioni. Slogani aktual "parti, popull, unitet" u drejtohet atyre, pakënaqësia e cilëve mund të kërcënojë udhëheqjen e re.


USHTRIA
Ushtria vazhdon të luajë rol vendimtar. Dy spastrimet e fundit të mëdha, në vitin 1975 dhe në 1981-1982, prekën mbi të gjitha sektorin ushtarak të vendit. Në përpjekje për të neutralizuar çdo sfidë nga garda e vjetër e ushtrisë, Hoxha caktoi një udhëheqje ushtarake pothuajse tërësisht të ndryshuar dhe me moshë më të re. Është e diskutueshme nëse Alia qëllimisht civil (kohët e fundit janë bërë përpjekje për të krijuar një imazh më ushtarak të tij duke ekzagjeruar rolin e tij si ushtarak gjatë kohës së luftës) mund të kontrollojë efektivisht sektorin e ushtrisë që thuhet se po shfaq disa shenja mosbindjeje.


Është fakt që Partia e Punës e Shqipërisë tradicionalisht nuk i ka zënë besë ushtrisë. Pas rënies së Shehut dhe Kadri Hazbiut (në atë kohë ministri i Mbrojtjes), udhëheqja shqiptare vendosi njeriun më të dobët, që mund të gjendej, në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, Prokop Murrën, njeri joushtarak, duke qenë vetëm kandidat për anëtar i Byrosë Politike.


HYSNI KAPO KOMISARI
Mosbesimi i partisë [ndaj ushtrisë] u theksua edhe një herë kohët e fundit kur Tirana përkujtoi 70-vjetorin e lindjes së Hysni Kapos, ish-oficer udhëheqës politik e ushtarak. Folës kryesor në këtë rast ishte Alia, ndërsa të përditshmet shqiptare botuan edhe dy shkrime të gjata nga Adil Çarçani dhe zyrtari veteran i partisë, Pilo Peristeri. Të tre theksonin rolin udhëheqës të partisë në forcat e armatosura.


Sipas Alisë, para se të zbulohej komploti i organizuar nga Shehu dhe Hazbiu, Hoxha parajmëroi se nuk ka çështje të rëndësishme ushtarake për t'u trajtuar pa pjesëmarrjen e Kapos. Alia citoi Hoxhën të ketë thënë: "Në ushtri të mos krijohet mendimi se vetëm një njeri i di çështjet e Ministrisë së Mbrojtjes. Kudo është Partia" (Zëri i popullit, 5 mars 1985). Çarçani shkroi të njëjtën gjë, duke pohuar se Hoxha i kishte thënë Kapos:
"Ushtria duhet të të shoh, duhet të takohet shpesh me komisarin e saj të lartë ... 


Prandaj ata duhet të të shohin ty, qysh kur je komisar i lartë i ushtrisë, populli duhet të dijë se është partia që komandon ushtrinë" (Ibid., 3 mars 1985).
Peristeri shkruante se Kapoja kishte luftuar me vendosmëri "për rritjen e rolit udhëheqës të Partisë në ushtri" (Bashkimi, 4 mars 1985). Mbetet për t'u parë nëse Alia ka staturën dhe forcën për të komanduar ushtrinë. Për momentin duket se Alisë i mungon karizma të merret me atë që mund të jetë një rrymë nënujore në rritje e zhgënjimit në ushtri.
GARDA E VJETËR DHE LIDERËT E RINJ
Në udhëheqjen e e sotme të partisë në Shqipëri, e përbërë nga nëntë anëtarë të Byrosë Politike dhe pesë kandidatë të saj, vetëm katër i përkasin të gardës së vjetër: Ramiz Alia, Adil Çarçani, Rita Marko, dhe Manush Myftiu. Dy të fundit mbajnë edhe poste administrative të dorës së dytë. Përveç këtyre, një numër ish-anëtarësh të Byrosë Politike vazhdojnë të mbajnë pozita minore si anëtarë të Komitetit Qendror. Ata janë Spiro Koleka, Haki Toska, dhe Pilo Peristeri. 


Shumica e tyre ishin të pranishëm gjatë funeraleve. Për më tepër, e veja e Hoxhës me shumë ndikim, 64-vjeçarja Nexhmije Hoxha, e cila drejton Komitetin Qendror, është mjaft aktive dhe ka luajtur rol në promovimin e Alisë në udhëheqje. Aktive është edhe e veja e Kapos, Vito Kapo, që është anëtare e Komitetit Qendror dhe ka një post ministror.
Mes brezit të ri të liderëve ka rivalë të grupit të tanishëm politik në pushtet, i cili mund të pësojë zhvillime. Ata janë Simon Stefani, Lenka Çuko, Hekuran Isai, Hajredin Çeliku, Muho Asllani, Pali Miska, Foto Çami, Besnik Bekteshi, Qirjako Mihali dhe Llambi Gegprifti. 


Duhet vënë në dukje, megjithatë, që praktikisht të gjithë këta udhëheqës të rinj janë zgjedhur nga vetë Hoxha. Mbetet për t'u parë nëse mes tyre do të ketë ndonjë që do të guxojë të shpallet rival i çfarë ka ka mbetur nga garda e vjetër. Kongresi i ardhshëm i partisë në vitin 1986 mund të jetë rasti për disa ndryshime në qeveri dhe që mund të precipitojë në luftë për pushtet, sikurse ka pak gjasa të duket tani. 
(vijon)

Mehmet Shehu, "Beria shqiptar"
Është paksa e çuditshme që dhe 4 vjet pas vdekjes së Mehmet Shehut, dubël-radioja e lidhur me CIA-n e përmend sërish ish-kryeministrin me një ngjyrim negativ: "nëse Hoxha është quajtur Stalini i Shqipërisë, mund të thuhet se Shehu ishte Beria i Shqipërisë". Madje, krijohet përshtypja sikur Uashingtoni i jepte të drejtë kreut të regjimit të Tiranës: "Sikur Hoxha të mos arrinte dot të hiqte qafe klikën e Shehut, ndoshta nuk do të kishte vdekur i qetë... Prania e Shehut në udhëheqje faktikisht me siguri do të krijonte situatë shpërthyese në vend, si në parti ashtu dhe në opinionin publik", pasi, "nën sundimin e tij [të Shehut], Shqipëria do të shkonte me shpejtësi drejt trazirash të mëdha të brendshme".

Droja nga puçet
"Është fakt që Partia e Punës e Shqipërisë tradicionalisht nuk i ka zënë besë ushtrisë" , një pohim interesant ky i Zenga-s. Me sa duket, një problem më vete për Uashingtonin në vitin 1985 ishte qëndrimi i ushtrisë ndaj ndryshimeve që mund të bënte Ramiz Alia, pasi thuhet se ushtria "po shfaq disa shenja mosbindjeje". Është befasues qëndrimi amerikan për spastrimet që kryeu në ushtri Enver Hoxha: "Ushtria vazhdon të luajë rol vendimtar. 


Dy spastrimet e fundit të mëdha, në vitin 1975 dhe në 1981-1982, prekën mbi të gjitha sektorin ushtarak të vendit. Në përpjekje për të neutralizuar çdo sfidë nga garda e vjetër e ushtrisë, Hoxha caktoi një udhëheqje ushtarake pothuajse tërësisht të ndryshuar dhe me moshë më të re. Është e diskutueshme nëse Alia qëllimisht civil... mund të kontrollojë efektivisht sektorin e ushtrisë". Ky aspekt i aktualizua, teksa në studim i kushtohet rëndësi vlerësimit që i bëhej në mars 1985 Hysni Kapos në përkujtimin e 70-vjetorit të lindjes së tij. Alia, në fjalën e rastit, më 4 mars, ka thënë se, para se të zbulohej komploti i organizuar nga Shehu dhe Hazbiu, Hoxha parajmëroi se nuk ka çështje të rëndësishme ushtarake për t'u trajtuar pa pjesëmarrjen e Kapos.


Por Uashingtoni nuk është i sigurt: "Mbetet për t'u parë nëse Alia ka staturën dhe forcën për të komanduar ushtrinë. Për momentin duket se Alisë i mungon karizma të merret me atë që mund të jetë një rrymë nënujore në rritje e zhgënjimit në ushtri". 

SHBA Sfida për hapje ndaj Perëndimit
Thanas Mustaqi
"Sfida kryesore e Shqipërisë pa Hoxhën do të jetë vazhdimi i kursit të hapjes ndaj botës, më shumë ndaj Perëndimit se sa Lindjes pa trazira të mëdha"- Kështu mendonte emitenti amerikan "Radio Evropa e Lirë", më 18 prill 1985, në një studim të titulluar "Shqipëria fillon epokën post-Hoxha". E përditshmja "Shekulli" i paraqet lexuesit shqiptar në dy numra të saj një analizë të situatës në Shqipëri dhe prognozat se ç'mund të ndodhte më tej. Dokumenti është paraqitur një javë pas vdekjes së "udhëheqësit më puritan, më të pamëshirshëm dhe më ksenofob në hisorinë moderne të Evropës", por që "do të hyjë në historinë shqiptare, kryesisht se i dha vendit 40 vjet pavarësi kombëtare". 
Eksperti i çështjeve shqiptare Louis Zenga vëren se "ndonëse shumë njerëz mund të kenë qenë të sinqertë në ditët e zisë, gjithsesi ka dhe një ndjenjë të përgjithshme lehtësimi dhe shprese për një të ardhme më pak të ashpër". Në përmbledhjen e materialit të destinuar për stafin e radios së financuar nga Kongresi amerikan dhe të lidhur me CIA-n, thuhet se studimi diskuton zhvillimet e mundshme në Shqipëri pas sundimit 41-vjeçar të Enver Hoxhës. Pjesa e parë shqyrton disa nga aspektet kritike të skenës së brendshme, nën udhëheqjen e re të Ramiz Alisë, pasardhësi i zgjedhur me kujdes nga Hoxha. 
Fakti që vdekja e drejtuesit të një shteti të vogël komunist ngjalli një jehonë botërore dhe radiot amerikane me destinacion Evropën lindore i kushtojnë një dokument studimor të gjerë, nuk është pa domethënie. Sipas autorit të studimit, që u referohet vëzhguesve që merren me bllokun komunist, "rëndësia e Shqipërisë nuk ka të bëjë me faktin se çfarë është ajo, por ku është dhe kush e kontrollon". Zenga vëren se pozita strategjike e Shqipërisë ka qenë historikisht shkaku i pushtimeve të huaja të vendit.


Nisur nga ky këndvështrim, Louis Zenga gjen shkakun e vendosjes së regjimit jodemokratik në Shqipëri: "Enver Hoxha krijoi dhe udhëhoqi drejt fitores përfundimtare lëvizjen nacionalçlirimtare kundër dy pushtimeve të huaja të fundit dhe arriti të jetë udhëheqësi që qëndroi më gjatë në pushtet në një vend komunist". 
Prandaj dhe dy kampet, si komunist ashtu dhe kapitalist, ishin tejet të merakosur për drejtimin që do të merrte ky vend i vogël ballkanik në epokën post-Hoxha. Ndërkaq Radio Evropa e Lirë / Radio Liria kanë vërejtur se qysh në gjallje të Enver Hoxhës, në "vitet e fundit, megjithatë, Shqipëria kishte filluar hapjen ndaj botës, kryesisht ndaj disa prej fqinjve të saj dhe në përgjithësi më shumë ndaj Perëndimit se sa Lindjes. Sfida kryesore e Shqipërisë pa Hoxhën do të jetë vazhdimi i këtij kursi pa trazira të mëdha. Trysnitë nga brenda dhe nga jashtë për të ndryshuar vulën unike të Hoxhës në politikën e brendshme dhe të jashtme do të jenë tejet të forta".


Në pikëpamje pragmatiste, zëdhënësit radiofonikë të Uashingtonit në Evropë, inkurajonë pasardhësin e "udhëheqësit më puritan, më të pamëshirshëm dhe më ksenofob në hisorinë moderne të Evropës", të vazhdojë kursin e hapjes ndaj botës dhe "në përgjithësi më shumë ndaj Perëndimit se sa Lindjes".
Dubël-radioja amerikane i bën një portretizim figurës së Alisë, që u zgjodh personalisht nga Hoxha, natyrisht, amerikanët e dinë se "e veja e Hoxhës me shumë ndikim... ka luajtur rol në promovimin e Alisë në udhëheqje". Pasi thotë se "sfida reale e temperamentit politik të Alisë vetëm sapo ka filluar", Zenga i bën komplimente Ramiz Alisë: "ka në favor kredencialet e paqortueshme si partiak dhe se ka dhënë shenja si burrë shteti që nga viti 1982. 


Nuk konsiderohet njeri mizor, madje edhe kundërshtarët e regjimit komunist priren t'i japin pikë të larta për tolerancë", dhe pse "nuk ka as karizmën, as prestigjin e pararendësit të tij". Eksperti i çështjeve shqiptare, gjithsesi, është i pasigurt për fatin e ardhshëm të pasardhësit të Hoxhës: "Mbetet çështje spekulimi nëse Alia do të jetë në gjendje të mbijetojë me stilin e tij të sundimit, stil që është më tepër human".

No comments:

Post a Comment