Shqiptarët e Amerikës përsëri në këmbë - Bleron Baraliu

Mërgata dhe diaspora shqiptare në SHBA po i vrojtojnë me vëmendje zhvillimet e fundit në pjesën veriore të atdheut. Shqiptaro-amerikanët përkrahën me entuziazëm vendosmërinë e vonuar të institucioneve të Kosovës për ndalimin e kontrabandës kriminale serbe dhe mbrojtjen e sovranitetit përgjatë kufirit verior.
Në shërbim të ardhmërisë demokratike
Diaspora shqiptare është përsëri e gatshme të mbështesë kauzën e popullit shqiptar për paqe dhe prosperitetit demokratik, në çdo pëllëmbë të atdheut. Diaspora në SHBA, sikurse edhe e tërë diaspora shqiptare, është në nivel gatishmërie për të kundërshtuar makinerinë antinjerëzore serbe dhe do të vazhdojë të demaskojë politikat etno-spastruese të terroristëve serbë, kësaj radhe me ritëm të ngritur, për të demaskuar me kohë agjendën ekspansioniste dhe kriminale të shtetit serb, të inspiruar dhe në vazhdimësi të agjendës së Çubriloviçit e Milosheviqit. Diaspora në Amerikë është e bindur që rruga përpara për popullin shqiptar është marshim i sakrificës dhe heroizmit në shërbim të ardhmërisë demokratike për fëmijët tanë. Ashtu sikur dhe populli liridashës në trojet amë, diaspora është e betuar për të paguar çfarëdo çmimi që kushtëzon të ardhmen e fëmijëve tanë në atdhe. Sikur qarqe ndërkombëtare me busull nga Beogradi të shtojnë presionin mizor kundër liderëve tanë momentalë, populli shqiptar do të transendojë të gjitha politikat mashtruese të motivuara nga propaganda dhe shantazhi serb, për të vazhduar pa kthim mbrapa marshin drejt pavarësimit të plotë dhe definitiv të tokave tona në veri dhe lindje të Kosovës.
Ky marsh i kaherë drejt lirisë së popullit, që mori një fuqi revolucionare me gjakun e flijuar të Adem Jasharit dhe betimin e përjetshëm të UÇK-së, është ringjallur me një fuqi të re, tani që u flijua edhe heroi më i ri shqiptar në mbrojtje të atdheut. Ky marsh i kaherë i lirisë që u qëndis me gjak nëpër kohëra e u thur me durim dhe sakrificë mbinjerëzore të popullit nëpër shekuj, do të vazhdojë me vrull të shtuar dhe intranzigjencë para armiqve, deri sa të pastrohet çdo pëllëmbë e vendit tonë nga bandat vrasëse serbe dhe derisa çdo shqiptar që jeton në Mitrovicë, Preshevë, Bujanovc, a Medvegjë, të ketë ngadhënjyer mbi sundimin e egër fashist serb. Shqiptaro-amerikanët qëndrojnë të gatshëm për të shtyrë përpara kauzën në Uashington, përballë propagandës antishqiptare të gatuar nga serbë me miq të tyre në Moskë e Bruksel. Shqiptaro-amerikanët po ashtu qëndrojnë në nivel gatishmërie për të mbrojtur atdheun edhe në Mitrovicë, Shkup, e Preshevë, aty, ashtu dhe atëherë, siç e kërkon vendi amë, siç edhe patën dëshmuar djemtë e lavdishëm të batalionit ‘Atlantiku’ në pranverën e shenjtë të vitit 1999.
Studentët, intelektualët, profesionistët dhe punëtorët shqiptarë në Nju- Jork, Boston, Uashington, Dallas, Detroit, e tjerë, qëndrojnë mbrapa vëllezërve dhe motrave heroike në atdhe dhe në ballë të betejës për paqe dhe demokraci, porsi dekadave të kaluara, kur rrugët e qyteteve amerikane u plagosen nga pamje trishtuese të gjenocidit serb në Kosovë dhe desqet e institucioneve demokratike në Uashington u mbuluan me dëshmi të pamohueshme të agresionit hitlerian nga shteti shovinist serb. Shqiptaro-amerikanët do të vazhdojnë punën me intensitet të ngritur, për t’i dëshmuar botës demokratike se shovinizmi serb lulëzon ende brenda mu vetë shtetit vrasës serb - se regjimi i Bogdanoviqit dhe Tadiqit është hiq më pak se vazhdimësi e atij të Rankoviqit dhe Milosheviqit.
Krenarë me guximin e popullit
Diaspora krenohet me guximin e popullit për të zgjedhur sakrificën para gjunjëzimit - shqiptarët përherë kanë zgjedhur vdekjen e sigurt para poshtërimit dhe robërisë së atdheut! Diaspora shqiptare i tërheq vëmendjen si udhëheqësve të KFOR-it, ashtu edhe EULEX-it dhe Kombeve të Bashkuara, që verbërisht bien pre e propagandës vrasëse serbe, se shqiptarët janë popull i dëshmuar me tolerancë dhe durim, por edhe më lart, janë popull i dëshmuar me sakrificë dhe vetëmohim në detyrë të lirisë, në fushë të betejës. Ky durim dhe kjo tolerancë mund të kamuflohen si stabilitet, por duhet të çmohen dhe respektohen si të shenjta nga protagonistët e demokracisë evropiane, sepse populli shqiptar i vënë në qoshe kundër lirisë së vet çdo çast mund të shpërthejë i papërmbajtur, derisa të shemben të gjitha bedenat e errësirës, nga Preveza e deri në Malësi, nga Kumanova e deri në Preshevë. Të gjithë ata evropianë që kërkojnë dialog nga shqiptarët me vrasësit e tyre serbë të mendojnë një herë a do të kishin kërkuar nga hebrenjtë të uleshin me pasuesit e Hitlerit për të zgjidhur “mosmarrëveshjet”, sikur këta të fundit të kishin mbjellë banda naziste në veri të Izraelit?! Duke kërcënuar paqen e shqiptarëve në tokat e veta, Serbia synon t’i vejë zjarr Evropës, siç i dha sa herë në shekullin e kaluar, që të rinxisë fushatën e spastrimit e ekspansionizmit serb, në vazhdimësi të agjendës ruse kundër demokracisë perëndimore - demokraci që bëhet përherë më e brishtë sa ngurron të ballafaqojë politikën shoviniste serbe.
Autori është aktivist i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe drejtor menaxhues në “State Street Corporation” në Nju-Jork
TJERA NGA OPINIONE


No comments:
Post a Comment