Mjerimi politik, kafshatë që s`kapërdihet – Fërgim Demiri

Një ditë më çoj mendja për një nostalgji të vjetër dhe shkova në mysafirllëk në fshatin e gjyshit. U vendosa dhe kushërinjtë u tubuan dhe bëmë shumë muhabete dhe rashë pak më herët në gjumë se ata të shkretit zgjoheshin në ora 3 të mëngjesit për me e vjel duhanin me katran të zi, sepse ky shtet nuk u jep ekzistencë tjetër.
Kur u zgjova në mëngjes, unë pak më vonë se ata, dëgjova këngën e gjelit i cili kishte hipur mbi trumën e plehut të ahurit dhe këndonte aq mjerueshëm me një zë të thyer të vinte sikur ishte një kob. Edhe e lehura e qenve gjatë natës kish ndryshuar dhe nuk lehnin por sikur të ulërinin si kob.
Ditën tjetër ika se nuk e gjeta rahatinë as aty dhe erdha në mjerimin ku më është shkruar. Mania e quajtur urrejtje ndaj të tjerëve s`ka të pushuar dhe kjo sa vjen e thellohet më tepër duke e gri qenien shqiptare nga ky vend që mund të ketë dhe ndonjë mallkim të hershëm që po i ndodh ky mjerim.
Dola një natë në korzonë e “Sokakut të Manastirit” që sllavët e quajnë ‘shirok sokak’, për të takuar vallë ndonjë bashkatdhetar dhe vendas timin, por kjo s`ndodhi, pas gjithë asaj bredhje katër orëshe. Vendi ku dikur takoheshim ne shqiptarët e Manastirit tanimë nuk ekziston dhe pyesja veten se ku kanë vajtur njerëzit.
Manastiri, që nga viti 2001 e këtej me hapa të shpejta po zbrazet nga shqiptarët, sidomos kur në pushtet është VMRO-DPMNE. Atëherë shkelen të gjitha të drejtat e tjerëve në këtë qytet dhe nga shtrëngatat e padurueshme që shqiptarët të migrojnë për në Australi dhe Evropë.
Ky numër sa vjen dita ditës po zvogëlohet, ndërsa partiakët hidhërohen pse s`ka vota nga Manastiri me rrethinën. E s`ka. Çfarë kanë bërë ata që të mos ndodh dyndja nga ky qytet i shqiptarëve !!! Besoj se jo. Jo, se më kujtohet ajo kënga e gjelit në fshatin e gjyshit dhe lehja e çuditshme e qenve që më dukej si kob.
Të jetë fatkeqësia edhe më e zezë, disa nga shqiptarët kanë filluar ti vizitojnë dhe kontejnerët e mbeturinave nga uria që i ka kapur. Edhe për këtë nuk kanë informata partiakët e gjorë shqiptar!! Po nëse ndodh një ngatërresë mes shqiptarëve dhe maqedonasve qoftë të jetë edhe verbale, çdo herë fajtor është shqiptari. Të mos flasim për institucionet, se shqiptarët atje kur venë hasin në një mjerim akoma më të rëndë e diskriminues.
Deri kur do ti shohin shqiptarët si ëmbëltorexhinjë, sharrraxhinjë, shitës nëpër tregjet, punëtor dore me lopatë, muratorë, dhe hallexhinjtë. Po i pyes tani ata të mjerimit politik tek shqiptarët. E humbën floririn për të cilin në Lidhjen e Prizrenit ishte vendosur të shpallet Kryeqendra e gjithë Vilajeteve Shqiptare, e sot ata që ulurojnë natën me kob po e vdesin. Vdesin intelektualët, historia dhe kultura e këtij vendi që është një thesarë i majshëm dhe me vlera kombëtare për popullin tonë.
Këta të plehut nga ahuri mbi të cilin këndonte at mëngjes gjeli i fshatit në fillim e përçanë këtë popull shqiptar kaq të vockël në Manastir, e bënë copë e cipë, dhe në fund ia kthyen kurrizin e lan thjeshtë në baltë.
Disa po që nuk e kanë as fijen e turpit që rrinë me vrasësit dhe piromanët e shtëpive shqiptare. Ata rrihnin gjokset se do bëjnë muze në mes të Manastirit, por s’bënë asgjë për fat të keq duke u mbytur në zgjedhje të parakohshme dhe duke i ngarkuar gomarët me pasuri e cila po tretet në xhepat e pashallarëve dhe cubave politik të këtij populli.
Mjerimi politik është kafshatë e vështirë që të mbetet vërtetë në fyt dhe ta zë frymën, kur për zjarret që i kanë shkaktuar vet në pyjet dhe malet e Manastirit, paramilitarët e “Qeneferisë Sllave” kërkojnë fajtorë në mesin e shqiptarëve dhe të tjerëve, edhe pse ka njohuri dhe burime të sakta se ata vet i djegin pyjet halore siç ndodhi dhe në vitin 2007 që pastaj ti eksplatojnë, sepse druri i molikës është shumë kualitativ dhe i fortë si dru që përdoret në ndërtimtari.
Policia e Manastirit ka kapur tre rom të mitur dhe po i akuzon për gjoja vendosjen e zjarrit mbi Devejan dhe Bair, lagje këto të banuara me shqiptarë dhe rom.
Shikoni çfarë krahasimi bëjnë ata me gënjeshtrat e tyre të kulluara. Bile në fshatin Ternovë dhe Magarovë janë marrë në pyetje dhe maltretuar banorë shqiptarë, kinse ata na paskan qenë kryerës të këtij akti vandal.
Edhe në fshatin Dolenckë ku jeton popullatë shqiptare janë marrë në pyetje gjithashtu banorë shqiptar si kryerës të mundshëm të këtij akti piroman. Por faktet nga terreni nuk flasin kështu.
Para një vit e gjysmë, pylli në malin Pelister me drunj molikë ishte shkatërruar dhe prerë në masa drastike, dhe u zbulua se kryerësi ishte kryetari i këshillit drejtues të Parkut Nacional Pelister, pronarë i televizionit lokal ORBIS që është kadrovik i VMRO-DPMNE-së dhe njëherit baxhanak i ish ministrit të mbrojtjes Konjanoski.
Çdo akt që e ndërmerrë mafia pyjore maqedonase, i ndërlidhet shqiptarëve dhe fajtorët kujdestarë janë ata. Mjerim i tipit modern, dhe si do ta kishte shkruar Migjeni i madh këtë tip mjerimi në poezinë e tijë veç ai e din, po të ishte i gjallë.
Pra qëllimi i dyndjes dhe shpërnguljes së shqiptarëve të Manastirit do të vazhdojë sipas planit të Kuzhinave Ballkanike të Politikave të Errta të trurëve të errësuar të Shovinistëve Sllavo-Greko-Bullgar siç është plani i Çubrilloviqit i cili po vazhdon me të njëjtin tempo, dhe i ndihmon aty dhe Kolona e Pestë Shqiptare për ta realizuar këtë qëllim të errët për pastrimin e vendit ku lëvizja shqiptare ka pas folenë. Duke u frikësuar nga ai zjarr, duan ta zhdukin, por nuk do e shuajnë zjarrin e folesë se nuk i takojnë të gjithë shqiptarët Kolonës së Pestë. Ky është mjerimi i moderuar për fat të keq që sot Shqiptarët e këtushëm e mbajnë mbi supet e veta duke mos e ndier dhe vuajtjen e dhimbjen nganjëherë.
No comments:
Post a Comment