Kushte katastrofale në shkollën teknike në Kumanovë

Paralelet e mesme me mësim në gjuhën shqipe në objektet e improvizuara për mësim në kuadër të shkollës së mesme teknike në Kumanovë edhe këtë vit do të vijojnë mësimin në kushte të vështira.
Paralelet shqipe janë gjithsejtë 38, ndërsa objekti i shkollës mundëson që mësimi të zhvillohet vetëm për 10 paralele. “Janë mbi 1200 nxënës të teknikës dhe paramendoni mësimi zhvillohet vetëm në 10 paralele, ku ka kushte për procesin mësimor. Në rast se nuk gjendet zgjidhje atëherë jemi të detyruar që mësimin ta organizojmë në katër ndërrime”, theksoi zëvendësdrejtori i shkollës “Nace Bugjoni”, Nexhmedin Salihu.
Nxënësit e këtyre paraleleve paralajmërojnë se do të dalin në rrugë për të protestuar për të sensibilizuar mungesën e kushteve mësimore dhe hapësirave për mësim.
“Sipas të gjitha gjasave nxënësit bashkë me prindërit dhe profesorët do të bojkotojnë procesin mësimor në shenjë pakënaqësie dhe revolte për mungesën e hapësirave për mësim”, deklaroi zëvendësdrejtori Salihu.
Ai ka kërkuar ndihmë nga komuna e Kumanovës por edhe Ministria e Arsimit lidhur me gjetjen e një zgjidhje për paralelet e mesme në gjuhën shqipe. Jozyrtarisht mësohet se të premten në Kumanovë pritet të qëndrojë zëvendësministri i Arsimit, Safet Neziri, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje të përkohshme me qëllim të fillimit të procesit mësimor.
No comments:
Post a Comment