Saturday, September 17, 2011


Shqipëria kërkon kontrollin e hapësirës ajrore të Kosovës

Shqipëria kërkon kontrollin e hapësirës ajrore të Kosovës


Sipas menaxheres së Lockheed Martin për Shqipërinë, Alberta Allan, sistemi i radarëve primar dhe sekondar mund t'i kushtonte qeverisë rreth 20 milionë dollarë. Sistemi do të ishte në Kukës, që të mbulohej hapësira ajrore e Kosovës
WikiLeaks ka publikuar një mori informacionesh nëpërmjet kabllogrameve për sjelljen apo veprimtarinë e përfaqësive diplomatike amerikane në vende të ndryshme dhe për fusha të ndryshme. Të përqendruar kryesisht te raportimet në kabllograme të diplomatëve amerikanë për politikën dhe zhvillimet në vendet e botës, përfshi Shqipërinë, për anëtaren e re të NATO-s është theksuar interesi për të mbuluar hapësirën ajrore të Kosovës. WikiLeaks publikoi bisedimet e drejtorit të Aviacionit Civil, Ervin Mazniku, me diplomatë amerikanë.
Ish-ambasadori amerikan John Withers raportonte në Uashington, sipas WikiLeaks-it, se drejtori i Aviacionit Civil të Shqipërisë, Ervin Mazniku, ishte përfshirë në bisedime me ambasadën amerikane në Kosovë dhe homologët e tij të Aviacionit Civil në Prishtinë, për të kërkuar mbështetjen mbi interesimin e mbulimit nga Shqipëria të hapësirës ajrore të Kosovës. Kabllogrami i ish-ambasadorit Withers nuk lë dyshime për përpjekje të tipit të pretendimeve për "Shqipërinë e Madhe".
Kabllogrami përqendrohet thjesht tek interesimi i Shqipërisë, përfshi Memorandumin e Bashkëpunimit të nënshkruar mes të dy palëve. "Më 19 janar 2009, drejtori i Përgjithshëm i Aviacionit Civil Shqiptar, Ervin Mazniku, u takua me ambasadorin amerikan për të diskutuar negociatat teknike në NATO në lidhje me transferimin e hapësirës ajrore të Kosovës, aktorëve rajonalë. Ai tha se qeveria e tij dhe qeveria e Kosovës kanë nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi, në mënyrë që të kërkohet marrëveshja në lidhje me dhënien e përgjegjësisë së plotë Shqipërisë për hapësirën ajrore të Kosovës [Shënim: MoU (Memorandumi i Bashkëpunimit), shkruan se do të kryhet një studim fizibiliteti në lidhje me mundësinë e një marrëveshjeje të tillë]. Për këtë qëllim, ai kërkoi mbështetjen e qeverisë amerikane sa i përket lobimit me aleatët e tjerë të NATO-s, që të bien dakord, në mënyrë që t'i lejohet qeverisë së Shqipërisë kontrolli i plotë ndaj hapësirës ajrore të Kosovës. Ambasada kërkon udhëzime nga qeveria amerikane në lidhje me pozicionin e qeverisë amerikane për këto negociata". Këtu është edhe fundi i përmbledhjes së kërkesës për veprim që është theksuar në WikiLeaks.
Sipas kabllogramit të ish-ambasadorit Withers, në lidhje me negociatat në vazhdim, Mazniku shprehu qëndrimin e tij se Kosova e kundërshton pjesëmarrjen e Serbisë apo të Maqedonisë në një ndërmarrje të përbashkët (me gjithë se raportohet kundërshtim i pjesëmarrjes serbe). "Ai tha se qëllimi i MoU të nënshkruar së fundmi mes Kosovës dhe Shqipërisë është që të kërkohet një marrëdhënie e tillë që t'i lejojë Shqipërisë përgjegjësinë e plotë për të menaxhuar hapësirën e sipërme ajrore të Kosovës. Ambasada ka marrë një kopje të kësaj MoU, në të cilin palët bien dakord vetëm që të kryejnë një studim fizibiliteti të një marrëdhënieje të tillë dhe që Shqipëria premton se do të përballojë mungesat e përcaktuara nga studimi.
Një marrëdhënie e tillë mes Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Transporteve, Drejtorisë së Aviacionit Civil dhe Agjencisë Nacionale të Trafikut Ajror, ka sjellë hartimin e një raporti të përbashkët në lidhje me hartimin e planit për të zhvilluar këto kapacitete.
Sipas menaxheres së projektit të Lockheed Martin për Shqipërinë, Alberta Allan, (Lockheed Martin mund të jetë pala kontraktuese për të zhvilluar kapacitete të tilla) qeverisë së Shqipërisë një sistem i tillë mund t'i kushtonte rreth 20 milionë dollarë, në mënyrë që të zhvillonte një sistem radari primar dhe sekondar në veri të Shqipërisë, në rajonin e Kukësit, që të mund të mbulohej hapësira ajrore e Kosovës. Ndërkohë që një radar i thjeshtë sekondar mund të kushtonte 5 milionë dollarë. Një sistem i dyfishtë mund të mbulonte edhe hapësirën e gjysmës veriore të Shqipërisë, ndërkohë që Shqipëria pjesën e saj të jugut mund ta mbulonte nëpërmjet Greqisë. Mazniku nuk shprehu ndonjë shqetësim në lidhje financimin e një projekti të tillë, duke pretenduar se radarët mund të gjeneronin të ardhura të mjaftueshme për tre vite, për të përballuar koston e vetvetes nëpërmjet tarifave të kalimeve tranzitore nga Kosova. Qeveria e Shqipërisë po përdor të njëjtën skemë financiare kalimesh tranzitore për të përballuar operacionet e trafikut ajror. Ai vlerësonte se një kontroll 100 për qind do të mund të rriste të ardhurat e qeverisë së Shqipërisë sa i përket tarifave të mbikalimeve tranzitore me 75 për qind. Mazniku nuk cilësoi sesi do të ndahej kostoja e radarëve mes ministrive. Mazniku vuri në dukje se ai do të udhëtonte në Prishtinë më 26 janar për t'u takuar me ambasadën amerikane në Prishtinë së bashku me homologët e tij kosovarë, për t'u përpjekur për të bindur ambasadën amerikane që të ofronte mbështetjen në vazhdim".

No comments:

Post a Comment