Saturday, April 2, 2011

Osmani: RDK rilindje dhe rimëkëmbje për shqiptarët

Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK) e udhëhequr nga Rufi Osmani u prezantua sot në Strugë para simpatizantëve dhe qytetarëve strugan me programin e saj politik.
Kryetari i DR-së, prof.dr. Rufi Osmani shpalosi qëllimin për formimin e këtij subjekti dhe pretendimet për zgjedhjet e reja parlamentare.


Sipas tij, 10 vite pas përfundimit të konfliktin 2001 dhe nënshkrimit të MO, shqiptarët nuk arritën ti realizojnë të drejtat e tyre duke qenë edhe më tutje me statusin e pakicës kombëtare edhe pse në fakt përbëjnë 1/3 e popullsisë.
Ai tha se synimi i partisë së tij do të jetë realizimi i aspiratave të shqiptarëve për shtetëformësi, jo përmes teorive tashmë të publikuara për lloj lloj federalizimesh, por përmes siç nënvizoi ai “një federalizmi jo-territorial që do të thotë funksionimi i shtetit me anë të konsensusit, një federalizim konsensual”.
Lidhur me mospërkrahjen nga partitë tjera të bllokut të partive shqiptare, Osmani ka kritikuar BDI-në dhe PDSH-në.
“Këtë pyetje tua parashtroni BDI-së dhe PDSH-së, sepse me sa duket ato frigohen nga një ofertë e kësaj natyre, ofertë që synon unifikimin e faktorit politik shqiptar, si një element i forcimit të politikës në vend dhe zgjedhjes së një kontesti shqiptaro-maqedonas, që vazhdon të jetë i hapur më shumë se 20 vite. Gjatë fushatës, ne do ti nxjerrim argumentet se pse ata nuk preferojnë. Unë supozoj se ato kanë një frikë nga dalja në skenë të RDK-së, ndaj nuk preferojnë një alternativë të kësaj natyre”, deklaroi Rufi Osmani.
Lidhur me koalicionin ndërmjet BDI-së dhe Fiat Canoskit, Rufi Osmani sqaroi: “Tashmë drejtuesit dhe anëtarët e Degës tonë në Strugë, kanë filluar të shprehin një revoltë. Me këtë BDI-ja dëshmon se është një parti që preferon konjukturat politike në dëm të interesave të përgjithshme”.
“Sidoqoftë, ne ndodhemi para aktit të kryer dhe koalicione të këtilla joparimore për ndërrimin e njësive zgjedhore na dëmtojnë trungun elektoral shqiptar, mandatet politike shqiptare dhe ne do të përpiqemi që ti rikuperojmë këto gabime në të ardhmen”, deklaroi Osmani, duke përsëritur deklarimet e tij se në këto zgjedhje të parakohshme, RDK synon të fitojë mbi 10 deputetë.(Mehmet LatifiINA)

No comments:

Post a Comment