ret për klasifikimin e organizatave kriminale që synojnë të kenë monopolin, mbrojtjen apo kryerjen e transaksioneve ilegale, duke ndjekur një “ritual” të dhënë, rregulla sjelljeje dhe “besnikërie” deri frikësim, ushtrim dhune dhe eliminim fizik personi, si në rastin e magjistratëve italianë G. Falcone dhe P. Borsellino. Në origjinën e vet, mafia e ka nisur veprimtarinë konkrete në pjesën e parë të shekullit të 19-të, fillimisht si një shoqëri sekrete në Sicili, ku ajo shfaqet në përgjigje të kërkesave për mbrojtje prone e transaksionesh ekonomike (në kushtet e një shteti të dobët e të pafuqishëm). Ajo bëhet më e “ushqyeshme” në kushtet e një tranzicioni të vonuar. Më vonë, mafia, nga rregulluese e pronës, tregut dhe tregtisë në sektorin bujqësor, gradualisht u “specializua” në mbrojtje të çdo veprimtarie kriminale, me mjete nga më të ndryshmet, nga korruptimi e mitmarrja, në kërcënime individuale deri në një përdorim të përgjakshëm force. Po ashtu, edhe pse mafia e nisi jetën si një “prodhim” sicilian, ky term, pavarësisht variacioneve në formë e përmbajtje, shfrytëzohet sot në të gjitha rastet e ngjashme. Natyrisht, edhe me variacionet e veta lokale (Yakuza japoneze, Triads Hong Kong-ez, Cosa Nostra amerikane, Mafia ruse etj.), sidomos nisur nga nevoja e burimeve joshtetërore të mbrojtjes së territoreve, monopolizimit apo ruajtjes së sektorëve të caktuar ekonomikë etj. Sidoqoftë, me kalimin e viteve nuk kanë qenë të vogla lidhjet e mafies siciliane me politikën, edhe pse, sipas të gjitha të dhënave, vetë ajo ka refuzuar bashkëpunimin me dy parti politike: PKInë dhe MSI-në (Partinë Neofashiste Italiane). Situata të ngjashme të veprimtarisë mafioze dhe lidhjes së saj me politikën janë shfaqur dhe në vende të tjera. Pamjet konkrete të saj kategorizohen edhe si mafie politike.
MAFIA POLITIKE
Mafia politike lidhet ngushtë me politikën, me përfaqësues të caktuar të saj në nivel qendror e vendor. Kontaktet e saj me politikën, edhe para këtij emërtimi, janë ndeshur më herët. Sepse me to kushtëzohet fuqizimi i saj ekonomik. Në fakt, mafia ka synuar e synon gjithmonë që, në një mënyrë apo tjetrën, të ushqejë e kultivojë këto lidhje politike. Madje, përpara kalimit nga fshati në qytet, bosi apo kapoja lokal synon të krijojë lidhje të mira me qeverisjen vendore e policinë. Ato shpesh janë demonstruar në mënyrë krejt tradicionale: në rrugë, kafene, restorante e mjedise të tjera publike, pak a shumë të dukshme. Pikërisht për t’u parë nga të tjerët, për të rritur “prestigjin” dhe ndikimin e ndërsjellë të dy palëve, për të kultivuar frikën dhe mbjellë heshtjen. Por, dhe imponimin në mbrojtjen apo ndërtimin e lidhjeje të tjera familjare. Më tej, me përqendrimin e veprimtarisë në qytete të mëdha, me rritjen e shkallës së anonimatit të individit, rruga tradicionale nuk duket më efektive. Por, edhe shfaqjet publike me eksponentë mafiozë e kanë bërë shqetësues komprometimin publik të disa politikanëve në nivel kombëtar e ndërkombëtar. Si rrjedhojë, aktualisht, veprimtaritë kryesore mafioze dhe transaksionet ilegale kryhen nën rrogoz, në kushte alibie apo me një përkujdesje në rritje për “moslënie gjurmësh”. Parë me këtë sy, sot, në luftën ndaj mafies, krahas investigimit të specializuar, kërkohet mobilizimi i opinionit publik dhe medias! Situata komplikohet edhe më shumë kur arrihet të manovrohet në mënyrë politike, duke përfshirë një pjesë të strukturave publike e medias në mbrojtje të saj. Për më tepër, me gjithë rritjen e kontrollit publik mbi median në mjaft vende, përsëri mafia arrin të rekrutojë, të nxisë e ushqejë “pushtimin” apo blerjen e saj. Por përsëri edhe kjo nuk mjafton. Madje, kohët e fundit, segmente të shkolluara e kultivuara të saj po përfshihen, jo më thjesht nëpërmjet kontakteve e ndikimeve politike e mediatike, por edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë, në përfshirjen e disa individëve të “panjollosur” të saj në përfaqësimin partiak e politik, pra dhe institucional. Një ndërthurje e tillë në qeverisje, në institucionet shtetërore e partiake dhe, në përgjithësi, deformimi i vetë mjedisit politik-publik e bën gjithnjë më të rrezikshme jo vetëm zhvillimin ekonomik, por dhe jetën e lirinë për qytetarin…
DY “NEVOJA” POLITIKE TË MAFIES
Mafia synon të plotësojë dy nevoja të qenësishme në fuqizimin e vazhdueshëm të saj. Të dyja ato, në një mënyrë apo tjetrën, shpesh në trajtë të kamufluar, lidhen me politikën, me rolin dhe detyrat e saj në qeverisje. Në radhë të parë, mafia ka probleme me Policinë dhe gjykatat, veçanërisht me Prokurorinë, si institucioni më i rëndësishëm për hetimin dhe formulimin e akuzës. Edhe pse këto probleme nuk janë gjithmonë politike apo nuk zgjidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë, puna e tyre, p.sh. e policit, prokurorit dhe gjykatësit mund të ndikohet jo pak me anë të presionit publik, me anë të goditjeve politike të drejtpërdrejta apo të tërthorta, përfshirë dhe rrezikun e humbjes së vendit të punës. Kjo bëhet akoma më e lehtë në kushte paaftësie apo korrupsioni brenda vetë sistemit gjyqësor, Policisë e Prokurorisë, sidomos në rastet kur aty ryshfeti apo mitmarrja bën kërdinë. Edhe dhuna apo kërcënimi fizik luajnë rolin e tyre… Pra, mafia ka nevojë për kontakte politike, që ndikojnë në aksionin e Policisë dhe vendimmarrjen e Gjyqësorit. Dhe me që të dy këto struktura janë institucione shtetërore, është e rëndësishme që ndikimi kryesor të arrihet në qeverisjen qendrore, sidomos në institucione, si: Ministria e Drejtësisë, ajo e Rendit, Prokuroria e Përgjithshme, gjykatat etj. Nevoja e dytë është e lidhur me punë botore, me projekte publike e infrastrukturore, me prokurime e tenderime të ndryshme, që vihen në lëvizje jo vetëm në qeverisjen qendrore në dikastere si ajo e Transportit, e Bujqësisë, e Ekonomisë, Shëndetësisë, Arsimit e Kulturës etj.; por edhe në atë vendore. Për to vihen në dispozicion, sipas buxhetit, fondet përkatëse. Nuk mund të lihen mënjanë as tatimet e doganat. P.sh., përpjekja serbe për paralizë mafioze të doganave në dy pikat kufitare të Veriut të Kosovës, djegia e tyre, përdorimi i armëve dhe vrasja me snajper, huliganizmi e bllokimi i rrugëve në sy të ndërkombëtarëve të KFOR-it apo EULEX-it është një shembull konkret i përzierjes së Beogradit në disa segmente mafioze serbe, me veshje gjoja nacionaliste! Prandaj, jo vetëm në raste të tilla ekstreme, por kudo e kurdoherë duhet të synohet kontrolli e vigjilenca mbi politikanë e zyrtarë që kanë vendimmarrjen e duhur. Sepse çdo organizim mafioz synon për ndikim politik dhe mbështetje konkrete në nivel vendor, kombëtar e rajonal, për qëllime dhe veprimtari të ndryshme, për fuqizim jolegal e kriminal të pushtetit të tij politik e ekonomik…
VIGJILENCË PUBLIKE NDAJ ÇDO SHFRYTËZIMI POLITIK “PARAMAFIOZ” E “MAFIOZ” TË QEVERISJES
No comments:
Post a Comment